Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se deputetët e opozitës u ngritën në lartësinë e detyrës me protestën e tyre në Kuvend, ku penguan zhvillimin normal të seancës plenare.
Sipas Bardhit, grupi parlamentar i PD-së është i vendosur për të mos lejuar asnjë seancë normale.
“Shqiptarët nuk mund të jenë peng i një qeverisjeje të korruptuar dhe që bashkëpunon me krimin e organizuar. Unë dua t’i shpreh mirënjohjen secilit deputet të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që sot u ngrit sot në lartësinë e detyrës të tij për ti shërbyer interesit publik”, tha Bardhi.
Bardhi theksoi se nesër do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, ndërsa bëri të ditur se vota e tyre do të jetë “pro drejtësisë dhe pro përgjegjësisë së një zyrtari të korruptuar”.
“Nuk do të ketë asnjë mundësi askush në atë Kuvend që ta mbyllë korrupsionin e Ballukut në kasafortë”, tha Bardhi.
Gjithashtu Bardhi dënoi sipas tij edhe shkeljen e procedurës parlamentare kushtetuese dhe ligjore nga ana e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, duke mos u dhënë deputetëve të opozitës provat e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.
“Ky nuk është rasti i parë që vjen një kërkesë nga SPAK për të kërkuar autorizim për të hequr lirinë e një deputeti apo ministrit. Procedura kushtetuese është krejt e qartë. Nuk ka asnjë urdhër që ndalon deputetët, anëtar të Këshillit të Rregullores dhe Imunitetit dhe Mandateve, të njihen me materialet e plota të sjella nga Prokuroria e Posaçme”, vijoi Bardhi.
Sipas Bardhit, ka një urgjencë trajtimi më prioritet i kësaj çështje nga Kuvendi dhe dhënia e autorizimit në kohën më të shpejtë të mundshme.
“Do kërkojmë mbledhjen e Kuvendit, në një sesion të jashtëzakonshëm, për të dhënë autorizimin për heqjen e lirisë ndaj të pandehurës Balluku”, u shpreh ai.