Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Imunitetit kanë kërkuar që të martën, ora 11.00, të mblidhet Këshilli për Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Lajmin e bëri me dije kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediet.
“Edi Rama dje njoftoi se do të vijonte bllokimin e drejtësisë dhe pengimin e saj deri në muajin shkurt, kur Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi një kërkesë të tij për masën e parë ndaluese të marrë nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme ndaj Belinda Ballukut”, theksoi Bardhi.
Sipas tij, “kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën”.
“Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për Ballukun, ajo akuzohej për dy krime. Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj Ballukut, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosjen e saj, së bashku me provat Prokuroria i ka sjellë në Kuvend”, tha Bardhi.
Ndaj, Bardhi i bëri thirrje Kryetarit të Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë.
Deputetët e PD-së theksojnë se “thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores”.
“Këshilli thirret në dy forma sipas Rregullores së Kuvendit: me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; ose me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë rendin e ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë”, thuhet në kërkesën e 5 anëtarëve të PD drejtuar Kryetarit të Kuvendit.