Bardhi: Mazhoranca po asgjëson parlamentarizmin me forcën e kartonit

nga D. V.

Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se mazhoranca socialiste po përpiqet që të asgjësojë parlamentarizmin dhe asgjësimin e çdo mekanizmi kontrolli që parashikon rregullorja e Kuvendit.

Në një dalje për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bardhi tha se PD ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat për përcaktimin e minimumit jetik, por që mazhorance me forcën e kartonit e ka rrëzuar.

“Grupi parlamentar i PD-së ka depozituar një mocion me debat për mungesën e një ligji të posaçëm, siç ndodh në çdo vend të rajonit dhe Evropës përcaktimin e minimumit jetik. Qytetarët kanë parë që gjatë këtyre ditëve ka ardhur në kuvend projektbuxheti për 2026 dhe para tre ditësh dhe paketa fiskale apo ligjet financiare që shoqërojnë miratimin e projektbuxhetit. Qartësisht cenohen të drejta kushtetues të qytetarëve për caktimin me ligj të minimumit jetik”, u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Bardhi shtoi se masa e ndihmës për personat e papunë apo ndihma ekonomike për familje me të ardhura të ulëta është rreth 40 mijë lekë të vjetra.

Sipas Bardhit, përcaktimi i një treguesi zyrtar të minimumit jetik është një kërkesë e vazhdueshme ndaj qeverisë shqiptare. Por deri në këtë moment ka munguar një qasje ligjore dhe institucionale për përcaktimin dhe përditësimin periodik të standardit minimal të jetesës.

Bardhi shtoi se “që nga nisja e kësaj legjislature kemi propozuar mekanizma të kontrollit ndaj ekzekutivit por që në fakt mazhoranca me forcën e kartonit dhe pse nuk e ka një të drejtë të tillë ka vendosur t’i refuzojë”.

“Në këto dy muaj, grupit parlamentar të PD-së i janë refuzuar pesë mocione me debat, tre kërkesa për mocion hetimor dhe dy kërkesa për interpelancë. Të gjitha këto të drejta kushtetuese janë refuzuar në kundërshtim flagrant me rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën. Në 10 seanca plenare, vetëm në një seancë është lejuar debat parlamentar”, tha Bardhi.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More