Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha është takuar sot në Berlin me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Niels von Redecker.
Gjatë takimit ish-kryetari i PD-së bën të ditur se kanë diskutuar për situatën politike në Shqipëri, sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet e qeverisë dhe një pjesë të opozitës për ta shantazhuar dhe penguar punën e saj.
“Kënaqësi të takohesha sot në Berlin me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Niels von Redecker. Diskutuam gjerësisht për situatën politike në Shqipëri, sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet e qeverisë dhe një pjesë të opozitës për ta shantazhuar dhe penguar punën e saj. Bashkëpunimi kundër drejtësisë u pa edhe me miratimin e Amnistisë, ku përfituan edhe zyrtarë të korruptuar. E informova edhe për paktin e zyrtarizuar në Kuvend në muajin korrik, i cili ua pamundëson qytetarëve që të zgjedhin deputetët me votën e tyre”, njofton Basha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Pjesë e bisedës, sipas Bashës, ishte edhe situata në rajon dhe veçanërisht në Kosovë.
“Ndava qëndrimin tim se është jetike për paqe dhe siguri afatgjatë në rajonin tonë që 5 vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, të ndërmarrin një hap të tillë dhe të ecet pa humbur kohë në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe (mekanizmi i paraanëtarësimit në NATO), dhe të nisin bisedimet për anëtarësim në BE”, shkruan Basha.