BDI: 2024 u shndërrua në një vit pengesash për shqiptarët

nga Redaksia

Shkup, 31 dhjetor – Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një kumtese ka paraqitur ngjarjet politike për vitin 2024.

Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se teksa qëndrojmë në prag të një viti të ri, është e rëndësishme të reflektojmë mbi rrugëtimin e vitit 2024—një vit që filloi me zgjedhjen historike të Kryeministrit të parë me etni shqiptare në Maqedoninë e Veriut, një moment që mbushi çdo zemër shqiptare me krenari.

“Ky triumf nuk ishte vetëm politik; ishte një fitore e kauzës që shqiptarët janë pjesëtarë të barabartë të këtij shteti, që ky vend është atdheu ynë i përbashkët”, thonë nga BDI.

Megjithatë, theksojnë nga atje, gjatë vitit, pamë një kontrast të thellë dhe alarmues—një kthesë të plotë.

“Ajo që filloi si hap përpara, u shndërrua në një vit pengesash për shqiptarët. Peizazhi politik u ndryshua nga një koalicion jolegjitim që përjashtoi përfaqësimin e vërtetë shqiptar, duke e reduktuar zërin tonë në qeveri në duart e disa bashkëpunëtorëve të zgjedhur sipas dëshirës së Kryeministrit. E drejta për vetëidentifikim u sulmua dhe u ndalua nga Gjykata Kushtetuese, duke sfiduar një nga liritë themelore të popullit tonë. Gjuha shqipe, themeli i identitetit tonë, u nënvlerësua. Ëndrra europiane u pamundësua, Mekanizmat e përfaqësimit të drejtë, të sanksionuara nga Marrëveshja e Ohrit, u çmontuan” thekson BDI.

BDI thekson se ‘flamuri shqiptar, simboli ynë i krenarisë, u nënçmua, ndërsa aktet e poshtërimit u festuan. Alfabeti ynë kombëtar, që bashkon të gjithë shqiptarët, u ndalua, duke goditur në zemër të identitetit dhe arsimit tonë kombëtar’.

“Ky është realiteti i vitit 2024: një vit që filloi me shpresë dhe përfundoi me një përpjekje të qëllimshme për të zhbërë progresin që shqiptarët kanë luftuar me dekada për ta arritur”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

BDI, shtojnë nga atje, mbetet e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, për të avancuar demokracinë multietnike dhe për të punuar pa u lodhur që çdo fëmijë në Maqedoninë e Veriut të rritet në një shoqëri ku ëndrrat e tij nuk kufizohen nga përkatësia etnike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More