Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria e bumit të madh energjetik. Do të jetë Shqipëria e investimeve madhështore në energjetikë”.
Në një deklaratë për mediet nga selia e PD se, ai garantoi se, “prodhimi i energjisë nga era, dielli dhe gazi, me përparësi prodhimin e energjisë së rinovueshme, do të dyfishojë prodhimin total të sotëm gjatë mandatit që vjen. Parqet eolike, parqet solare do të marrin një përparësi absolute”.
Berisha theksoi se, Shqipëria ka ndër platformat e erës më të fuqishme në Evropë.
“Këto platforma shtrihen nga thellësitë e Alpeve, në jugun e vendit. Zona të mëdha mund të prodhojnë me mijëra megavatë në energji eolike. Por dielli është një burim i pashtershëm dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë që Shqipërinë do ta shndërrojmë në vendin më tërheqës në Evropë për investimet në fushën e energjisë”.
Ai theksoi se, “përfituesit më të mëdhenj të këtij bumi në prodhimin energjetik do të jenë qytetarët shqiptarë, do të jetë biznesi shqiptar, do të jetë “Made in Albania”, prodhimi shqiptar”.
Berisha u shpreh se, “do të përdoren të gjitha potencialet ujore, në përputhje ne rregullat rigoroze të mjedisit, për të shndërruar në energji ujërat që derdhen të fjetura në det”.
Gjithashtu theksoi se, “do të autorizohet ndërtimi i mikrohidrocentraleve për të prodhuar nga fshatra, nga komunitete, nga lagje, energji falas për veten e tyre”.
Berisha theksoi se, gazifikimi i qyteteve do të jetë prioriteti i PD-së teksa u shpreh se, “është mëkat të mos përdorësh potencialin e TAP”.
Berisha u shpreh se, “energjia si një nga shtyllat kryesore të programit tonë do të ndryshojë jetën e mbarë qytetarëve shqiptarë”.
“Gazifikimi i qyteteve të vendit do të jetë nisma ndër më kryesoret e qeverisë shqiptare. Buxhetet e ardhshme do i përkushtohen infrastrukturës dhe gazifikimit të Shqipërisë”, tha ai.
Berisha theksoi se, Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria e superfuqisë energjetike në rajon.
“Ata që e vënë në dyshim këtë që them, u rikujtoj këtu se në vitet 2009-2013, u firmosën kontratat për ndërtimin e 434 hidrocentraleve në Shqipëri, dhe u inauguruan punimet për dhjetëra prej tyre, ndër të cilët Kaskada e Devollit, që në kohën kur ndërtohej ishte hidrocentrali më i madh në Europë dhe ndërtohej nga kompania numër një në botë për ndërtimin e hidrocentraleve, “Statkraft””, tha Berisha.
Pra, shtoi ai, “ëndrra shqiptare në fushën e energjisë do të bëhet realitet. Pasuritë përrallore, natyrore që shqiptarët kanë në këtë fushë, do të kthehen në mirësi, do të kthehen në të ardhura, do të kthehen në begati për qytetarët shqiptarë”.