Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë të ditur hapat e radhës të aksionit opozitar për “rrëzimin e narkokracisë, krijimin e një qeverie teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira”.
Në një prononcim për mediet mesnatën e mbrëmshme, Berisha tha se protesta e radhës është në datën 20 shkurt, dita që lidhet me rrëzimin e bustit të diktatorit Enver Hoxha në vitin 1991.
“Kjo kryengritje nuk ndërpritet, kjo është kryengritja paqësore që ka për mision çlirimin e Shqipërisë nga narkodiktatura dhe nuk ka gjë në botë që mund ta pengojë, pa realizuar misionin. Skenari do të jetë, skenar i njerëzve të pamposhtur ”, tha ai.
Berisha tha se gjatë protestës së djeshme “u përdorën plumba gome dhe kanë goditur protestuesin në ballë, që përbën një rrezik për jetën. Do të thotë se protestuesi Ilir Tusha, një i ri, është goditur nga snajper pa asnjë lloj motivi. Deputeti Bledion Nallbati me hematomë të ndjeshme nga goditja me shkop në kokë”.
Për këto akte, kreu i PD-së, akuzoi oficerin e lartë të Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga. “Në krye të operacionit ka qenë krimineli i damkosur Sokol Bizhga. Mashtroi, ka lëshuar komunikatën, 14 policë. Shkova unë, asnjë polic. Mjekët më thanë që nuk ka asnjë polic, as të plagosur as të paplagosur. Sollën 5 policë dhe policët kishin ikur vetë se i kishin sjellë me detyrim aty, për statistikë”, u shpreh Berisha për mediet.