Berisha: Faktet e farsës së 11 majit në OSBE, detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se njohu Asamblenë e OSBE-së me ato që ai i cilësoi si, “faktet dhe provat e kundërshtueshme të farsës së 11 majit”, duke e konsideruar përmbushje të detyrimit madhor ndaj qytetarëve shqiptarë.

Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se, “Asambleja Parlamentare e OSBE dhe institucionet e OSBE, ndër të cilat ODIHR, janë dhe institucionet e besimit të plotë të vendeve anëtare të OSBE-së, për sa u përket zgjedhjeve, karakterit, të zhvillimit të tyre, zgjedhjeve të drejta apo të padrejta, të barabarta apo të pabarabarta”.

Berisha falënderoi presidenten e grupit parlamentar të EPP-së, Gundrun Kugler, për mundësinë që i krijoi, sipas tij, të bëjë ekspoze të qartë, të plotë, të faktuar të farsës elektorale që u zhvilluar në Shqipëri në datën 11 maj.

Sipas tij, interesi i kryetares së grupit parlamentar të EPP-së, të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe anëtarëve deputetë të këtij grupi ishte shumë i madh.

“Pa krahasuar me asnjë proces tjetër në Evropë, informuam për angazhimin total të narkoshtetit, të të gjitha potencialeve të tij njerëzore, financiare, fuqia ekzekutive, për kontrollin e votës së qytetarëve shqiptarë dhe blerjen e saj. Për përdorimin e gjysmë miliardi euro, për prokurorime publikë në kundërshtim flagrant me ligjin”, u shpreh Berisha.

“Për organizimin në kundërshtim me ligjin të 4500 eventeve kombëtare dhe ndërkombëtare duke përfunduar me Giro d’Italia ditët e fundit dhe ditën e zgjedhjeve për të ndikuar tek zgjedhësit. Tek përdorimi i armatës së punonjësve të paguar nga taksa paguesit shqiptarë për tu shërbyer atyre dhe jo për tu angazhuar si policë elektoralë në procesin zgjedhor. Firmosjen e mijëra e mijërave leje legalizimi, leje ndërtimi dhe certifikatave të pronësisë, për vota”, vijoi ai.

“Dorëzimin e të gjitha të dhënave sekrete, personale të qytetarëve grupeve të patronazhistëve për t’i kërcënuar dhe mikluar ata. Si dhe vendimin për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis në mbarë vendin për votë, ndërkohë ligji lejon gjithsej 200 hektarë”, tha Berisha.

Kreu i PD theksoi se “në takime informuam ata me të gjithë dukuritë e konstatuara nga vëzhgimi i kamerave ditën e votimit, nga rinumërimi i fletëve të votimit”.

“I informuam për përdorimin më të gjerë të mekanizmit ‘treni bullgar’. I informuam për shtetëzimin e votës së diasporës dhe procesit të votimit të diasporës. Me fakte, dokumente me të dhëna”.

“Mendoj se audienca me lajmet, me dokumentet, provat që dërguam mori informacionin më të vërtetë dhe më të duhur për farsën elektorale të 11 majit”, theksoi Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More