Berisha: Hetimi i SPAK për Kuvendin e Rithemelimit politik, nuk lidhet me hetimin pasuror

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi si politik hetimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) lidhur me Kuvendin e Rithemelimit të vitit 2021, të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, ku u shkarkua kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha.

Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se ky hetim nuk ka asnjë lidhje me hetimin pasuror ndaj tij dhe familjarëve, i cili sipas tij është mbyllur dhe është dërguar në gjykatë.

“Hetimi pasuror është bërë me lupë, është finalizuar dhe është dërguar në gjykatë. Hetimi për Kuvendin e Rithemelimit është një hetim i mirëfilltë politik dhe nuk ka asnjë lidhje me çështjen pasurore”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se është i hapur ndaj çdo hetimi dhe se prokuroria duhet të veprojë e lirë, por shtoi se përpjekja për të lidhur dy çështje të ndryshme është, sipas tij, mashtruese.

Berisha deklaroi se çdo financim për Kuvendin e Rithemelimit është deklaruar dhe se nuk ka pasur asgjë të fshehur. Sipas tij, aktiviteti është financuar nga deputetë dhe aktivistë të Partisë Demokratike, ndërsa çmimi i stadiumit është publik dhe i deklaruar nga institucionet përkatëse.

“Çdo financim është deklaruar. Personat që kanë kontribuar e kanë deklaruar atë sapo janë pyetur. Nuk ka asgjë të fshehur”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi si dezinformim lajmin se hetimi për Kuvendin po zhvillohet në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij, duke theksuar se kjo çështje tashmë ndodhet në proces gjyqësor.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More