Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë për mediet sot nga selia blu, tha se mosbindja civile e opozitës ditën e djeshme “çliroi kryeqytetin për tre orë nga kthetrat e narkoshtetit”.
Berisha falënderoi qytetarët që morën pjesë në protestë, ndërsa tha se dje u panë “shfaqje nga më të shëmtuara dhe nga më qesharaket nga mashtrues të paguar dhe kriminelë me uniformë”.
“Narkoshteti mbrëmë përdori mashtrues ordinerë, halucinantë që shohin gra imagjinare shtatzëna që lindin në autobusë, mashtrim ky vulgar i përsëritur sa herë opozita zhvillon aksionin e saj. Narkoshteti mbrëmë përdori patronazhistë qesharakë që indinjoheshin se u bllokuan rrugët e kryeqytetit tre orë, ndërkohë që çdo ditë, në kohë të caktuar, rrugët janë të bllokuara disa orë për shkak të Lal Vjedhësit dhe çrregullimit të madh të trafikut”, tha Berisha.
Kryedemokrati po ashtu përsëriti sërish se Policia goditi nënkryetarin e parlamentit dhe nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj, duke e bërë atë për spital.
“Narkoshteti mbrëmë, i tmerruar, lëshoi nëpër studio altoparlantët dhe papagajtë e tij, opozitarët e opozitës për të deklaruar në panik se mosbindja civile nuk pati rezultate”, tha Berisha më tej.
Kreu i PD-së shtoi se “prej këtyre mosbindjeve civile që ne kemi zhvilluar periodikisht, prej aksionit të parlamentit që kemi bërë gjatë vitit, prej protestave të përjavshme tek bashkia e Tiranës, prej qëndresës në 333 ditë në Rrugën e Shpresës, demokratet dhe demokratët kanë realizuar para Shqipërisë dhe shqiptarëve të pamundshmen dhe kjo ka terrorizuar, ka tmerruar qeverinë dhe opozitarët e opozitës”.
Sakaq Berisha u shpreh i bindur se Partia Demokratike më 11 maj do të firmosë rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri.
“Vetëm falë mosbindjes civile ne e rikthyem flamurin e PD. Vetëm falë mosbindjes civile është arritur të mbrojmë votën e shqiptarëve me tre rezoluta ndërkombëtare që kanë dënuar narkoqeverinë e Tiranës.
Në këtë listë të sukseseve, së shpejti do realizojmë qeverinë teknike si një sukses i radhës i opozitës shqiptare dhe si një dëshmi e radhës për papagajtë e qeverisë dhe opozitarët e opozitarëve, se ato që duken të pamundura për ta, PD i bën plotësisht të mundshme.
Po kështu duhet të siguroj shqiptarët se PD në këtë përpjekje, më 11 maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri”, tha Berisha.