Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij para grupit të PPE në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, tha se në parlamentin e Shqipërisë janë shkelur hapur Kushtetuta dhe rregullat, pasi programi i qeverisë u votua në vetëm 28 minuta, pa debat.
“Qeveria e re dhe programi i saj, programi katërvjeçar, u votuan për 28 minuta. 28 minuta. Mbi bazën e një skenari të përgatitur mirë. Duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur gjithashtu edhe rregullat e Parlamentit. Ata votuan me urdhër të Kryeministrit në sallë. Votuan për 28 minuta.
Ky ishte debati. Kur ne, si opozitë, kërkuam të vihej një mocion për debat mbi programin e qeverisë, u refuzua”, tha Berisha.
Sipas Berishës, të drejtat kushtetuese dhe të drejtat që burojnë nga rregullat e Parlamentit të deputetëve nuk respektohen aspak.
Berisha tha më tej se rreziku më i madh ekzistencial për shqiptarët është droga dhe shndërrimi i vendit në një shtet narkotik.
“Një shtet narkotik nuk është vetëm kërcënim për kombin ku ndodhet, por për rajonin dhe Evropën”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së gjatë fjalës së tij tha se qeveria ka ngritur një sistem përgjimi dhe censure.
“Ka shumë të dhëna se ata kanë instaluar një sistem të thellë përgjimi të internetit. Në një moment, ata bllokuan TikTok-un. Ne po e verifikojmë, por ka të dhëna shumë të qarta, kristal, se kjo ka ndodhur”, tha Berisha.