Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference për mediet ju përgjigj ironisë së kryeministrit Edi Rama, për krahasimet me një “buf kënete”.
Kryedemokrati vendosi në tavolinë një buf dhe tha se “ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë”.
“Vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë”, tha Berisha.
Berisha shtoi “Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar”.