Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) Klodjan Braho, u zgjodh sipas Kushtetutës dhe jo si pararendësi i tij që ishte jokushtetues.
Berisha gjithashtu komentoi edhe faktin se kandidatja Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Dje u zbatua Kushtetuta. Nuk u zgjodh si i pari me 5 vota, që ishte jokushtetuese dhe që nuk mund të rrinte asnjë ditë në detyrë. Jo. I dyti mori 7 vota dhe komenti i dytë, aty ishte një zonjë, çka tregon se ajo trupë e KLP-së është mizogjenike dhe nuk i dhanë asnjë votë. Kështu është. Ishte një zonjë aty, ajo nuk shkoi vetë aty. Aty në KLP e dërgoi komisioni i Skapit, shkoi atje dhe dy-tri zonja që ishin në KLP nuk menduan t’i jepnin një votë. E nxorën pa asnjë votë.
“Këto dy komente kam unë për zgjedhjet e djeshme. U zgjodh në përputhje me Kushtetutën, në dallim të madh nga pararendësi i tij, që nuk ka Kushtetutë, as ligj, por këtu u zbatua Kushtetuta. Kishin bërë rregulloren vetë për votim të hapur, gjersa kanë rënë dakord, në ujdi. Normal në institucione votimi është i mbyllur, por ata kanë rënë dakord vetë dhe nuk mund t’ua diskutojë kush të drejtën për të vendosur si të votojnë”, tha Berisha.
Berisha reagoi edhe për votimin e Endrit Shabanit si Avokat i Popullit.
Berisha theksoi se mazhoranca rrëmbeu edhe institucionin e fundit që kishte një përfaqësues të pranuar nga të dyja palët, duke theksuar se refuzoi kandidaturat e mbështetura nga PD për Avokatin e Popullit.
“Një proces i instaluar prej shumë vitesh, u përmbys dje duke rrëmbyer dhe institucionin e fundit që kishte ngelur gjysmë, se ajo ka qenë një kandidaturë konsensuale. Zonja Ballanca ka qenë një kandidaturë e pranuar nga të dyja palët.
“Megjithatë ne kemi vlerësuar punën. Ky pushtet, kjo grimë, ky segment kishte ngelur. Refuzoi në mënyrë kategorike zotin Besim Ndregjoni, refuzoi në mënyrën kategorike zonjën Adriana Kalaja, refuzoi në mënyrë kategorike çdo kandidaturë tjetër të mbështetur nga PD dhe grabiti opozitën që donte”, tha Berisha.