Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet komentoi sot Raportin për Shqipërinë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili analizon situatën dhe progresin tonë në rrugën drejt integrimit europian, për vitet 2023 dhe 2024.
Sipas kryetarit të opozitës raporti “i referohet pikë për pikë paragrafit të parë të raportit të OSBE/ODIHR, delegacionit të Parlamentit Europian, delegacionit të Këshillit të Europës, në të cilin thuhet se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta”.
“Barazia në fushatë elektorale është kriteri i të gjitha kritereve për zgjedhje të drejta apo zgjedhje që respektojnë parimet ndërkombëtare”, tha Berisha.
Sipas Berishës raporti i PE-së “thotë se u përdorën gjerësisht burimet e shtetit për fushatë elektorale nga partia në pushtet”.
Berisha shtoi se “raporti akuzon qeverinë se ka krijuar shtetin elektoral, kusht themelor kjo për shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale”.
Duke ju referuar deklaratave të kryetares së parlamentit Elisa Spiropali se “humbësit po përdhosin emrin e shqiptarëve”, Berisha tha se “Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian konfirmojnë se opozita mbështet plotësisht integrimin”.
“Theksohet disa herë se ndarja e pushteteve është një parim themelor që nuk respektohet në Shqipëri, konkretisht nga parlamenti”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha më tej se “Brukseli shpreh shqetësim të madh për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionet në sistemin juridik”.
“Ka defekte të mëdha në emërime të anëtarëve jomagjistratë nga famozja KLGJ dhe KLP si dhe integriteti i tyre. Pra, Brukseli konstaton se ka probleme me integritetin e të emëruarve”, u shpreh Berisha.
Berisha tha gjithashtu gjatë fjalës së tij se “është kërcënuar misionin OSBE-ODIHR dhe unë këto i kam denoncuar në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe publikisht”.
“Mashtrimi publik shtetëror është një akt i shëmtuar shtetëror që nuk mund të mos denoncohej publikisht dhe me forcën më të madhe”, tha kreu i PD-së.