Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi sot një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal tek reforma territoriale, ku theksoi se ajo e vitit 2015 ishte një “antireformë”, duke nënvizuar shpërndarjen disproporcionale të bashkive dhe mungesën e shërbimeve në zonat rurale.
“Qarku i Tiranës me mbi 1 milion banorë ka 4 bashki, qarku i Gjirokastrës me 120 mijë banorë, ka 7 bashki. Kuptojeni vetë! Pretendoi se me këtë reformë do të lehtësohej barra mbi qytetarët në rroga, është dyfishuar numri i parazitëve mbi qytetarët. Por tashmë nuk janë të zgjedhur, janë të emëruar”, vuri në dukje Berisha.
Sipas tij, Shqipëria në raport me popullatën duhet të ketë një numër jo shumë të madh të bashkive dhe komunave. Por, theksoi ai, “në raport me terrenin, nëse i qëndrojmë parimit që qytetarët duhet të kenë shërbime, duhet të kenë njerëzit e zgjedhur, duhet të kenë drejtimin, Shqipëria është tjetër. Kemi zona të largëta, kemi zona pothuajse pa infrastrukturë, që kur u bë reforma, ora për Shqipërinë rurale ndaloi”.
“Edhe një ligj që miratuam në vitin 2012 për të hequr 8 vite taksat për ata që investojnë në ato zona malore, e anuloi të parin. Ka ndaluar ora atje”, tha ai.
Berisha u shpreh se opozita do të propozojë një rikonceptim të hartës territoriale që synon rritjen e shërbimeve, përfaqësimit vendor dhe ripopullimin e zonave të braktisura.
“Në këtë reformë ne do japim mendimet tona, kontributin tonë duke pasur parasysh, ne nuk i qëndrojmë skemës së mëparshme, nuk themi se do jenë 400 e ca bashki e komuna se disa prej tyre kanë ngelur stane bagëtish se njerëzit kanë ikur, por prapë se prapë aty ku ka mundësi dhe komunitete, ne do u qëndrojmë. Ne do synojmë ripopullimin e Shqipërisë. Dhe kjo reformë duhet të jetë edhe në funksion të këtij parimi”, tha Berisha.
Berisha e mbylli fjalën duke deklaruar se opozita do të veprojë me seriozitet për të hartuar propozimet e saj për të dy reformat, duke falënderuar institucionet ndërkombëtare për qëndrimet e tyre ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri.