Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për shtyp nga selia blu se, “shpopullimi masiv i Shqipërisë përbën goditjen më të rëndë ekzistenciale që kombi shqiptar ka marrë në tërë historinë e tij të gjatë”.
Ai theksoi se “kurrë ndonjëherë, treguesit themelorë të popullsisë të këtij vendi, nuk kanë rënë brenda 10 viteve një shekull” dhe se lindshmëria sot është “e barabartë me lindshmërinë që kishte kur shqiptarët ishin 700 mijë banorë, 100 vite më parë”.
Ai nënvizoi se nga viti 2018 deri sot, “vdekjet në Shqipëri janë qartësisht më të larta se lindjet”, dhe së bashku me largimet masive nga vendi, “boshatisja e Shqipërisë është e garantuar”.
Për të adresuar këtë emergjencë, PD propozon një platformë mbështetjeje për familjet dhe fëmijët.
Sipas Berishës, “fëmija i parë të ketë një trajtim mujor 1 mijë euro në vit. Fëmija i dytë 2 mijë euro. Fëmija i tretë 3 mijë euro bonus. Fëmija i katërt dhe më shumë, 5 mijë euro bonus”.
Ai shtoi se, “bonusi mujor për fëmijët e lindur, me këtë buxhet, pra për vitin 2026, të jetë 50 euro për çdo fëmijë deri në moshën 6 vjeç dhe 60 euro për çdo fëmijë, në moshën 6 deri 18-vjeçare”.
Për çerdhe dhe kopshte, Berisha deklaroi se do të ketë zero pagesë për fëmijën e tretë apo më shumë.
Për rimbursimin e ilaçeve për fëmijët e tretë apo më shumë, ai ka thënë se shuma është 120 euro në vit, të paktën 8 mijë fëmijë përfitojnë nga kjo dhe shuma është 1 milion euro në vit rimbursim i plotë.
Platforma parashikon gjithashtu masa ekonomike dhe fiskale.
Berisha propozoi leje lindje me pagesë të plotë për 365 ditë.
“Të paktën për 30 mijë nëna në vit shuma është 80 milionë euro”, tha ai, teksa shtoi se, “tatimi mbi të ardhurat personale mbi pagën, nënat me tre fëmijë përjashtohen nga ky tatim. Baballarët me katër fëmijë, përjashtohen nga ky tatim. Shteti paguan në këtë rast 25 milionë euro”.
Për të rinjtë deri në moshën 25-vjeçare, Berisha tha se “janë rreth 200 mijë të rinj dhe shuma është rreth 10 milionë euro”.
Për kreditë e buta për çiftet e reja, ai shpjegoi se vlera është “deri në 100 mijë euro, shuma vjetore 15 milionë euro”.
Ndër masa të tjera, Berisha përmendi, bonus rindërtimi për shtëpi ekzistuese për çiftet e reja për banesat urbane dhe 8 mijë euro për banesat rurale. Si dhe subvencion deri në masën e një të tretës së vlerës shtesë që familja duhet të paguajë për banesë më të madhe, por jo më shumë se 30 mijë euro.
Ai shtoi gjithashtu, “zero taksë mbi tokën bujqësore, me kushtin që ajo të punohet” dhe “për ata që rikthehen nga jashtë të punojnë në fshat, zero taksa, tarifa për 5 vitet e para”.
Për financimin e linjave të prodhimit dhe sipërmarrjeve të grave, Berisha propozoi, “financim 50 për qind i çdo linje prodhimi, por jo më shumë se 30 mijë euro.
Për ata që vijnë nga emigrimi, financimi do jetë 70 për qind, jo më shumë se 40 mijë euro për çdo linjë prodhimi, tha kreu i PD.
Berisha gjithashtu u shpreh se në propozim përfshihet: përgjysmim i çdo takse, tarife, tatimi për gratë sipërmarrëse që do të hapin biznese në një nga tre qarqet më të varfa apo që punësojnë të paktën 50 për qind gra në sipërmarrjet e tyre. Shuma 5 milionë euro.
Pjesë e platformës është edhe, “tokë publike falas për ndërtime për strehim. Tokë publike me 1 euro për 99 vite për qëllime biznesi”.
Sipas Berishës, “impakti në buxhetin e këtij viti është 265 milionë euro, ndërsa impakti në buxhetin deri në vitin 2040, shkon gjithsej 4 miliardë euro”.
Ai e paraqiti këtë platformë si një përgjigje urgjente për të ndaluar shpopullimin, për të stimuluar lindjet dhe rikthimin e shqiptarëve nga emigrimi, si dhe për të krijuar kushte për një rritje të qëndrueshme demografike dhe sociale në vend.