Gjithë bota e njeh emrin e saj, zërin, jehonën e suksesit, trofeve e titujve, por kur perdja mbyllet, për Ermonela Jahon dihet fare pak. Tek-tuk ajo zbulon ndonjë detaj nga jeta personale, por pjesën më të madhe ka zgjedhur ta ruajë hermetike, të shenjtë.
Por si asnjëherë më parë, në programin “Rudina” në Tv Klan, ajo ka dhënë një rrëfim të rrallë për familjen, dashurinë, brengat, dhimbjen. Si dhimbja e humbjes së prindërve që sot ende i rëndon trishtimi se nuk u gjend dot pranë tyre. Një boshllëk që nuk mbushet dot e megjithatë, ajo i ndien gjithnjë pranë.
Madje beson se babai i saj, i cili ishte i vetmi që arriti ta shihte në skenë, i ka dërguar një copëz nga ai moment nënës së saj.
Ermonela Jaho: Kanë ikur kur kam lënë Shqipërinë dhe ia kisha frikën gjithmonë. Kur lashë Shqipërinë atë thoja, uroj të mos ndodhë diçka e keqe që të mos u jem pranë prindërve dhe ua kisha frikën dhe ndonjëherë qaja vetëm duke menduar në qoftë se ndodh diçka dhe unë nuk jam aty? Fatkeqësisht, ndodhi për të dy prindërit dhe kur ikin prindërit mblidhesh vëlla, motër, familja lidhet më shumë.
Rudina Magjistari: Me shumë distancë nga njëri-tjetri në kohë?