Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist të kryer kundër kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në zonën e Zubin Potokut më 29.11.2024.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq. Në një konferencë për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Prishtinës, avokati Delleviq tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Sipas avokatit, i pandehuri ka thënë se në kohën kur ka ndodhur sulmi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit ka qenë në një vend krejt tjetër dhe se për këtë ka shumë dëshmitarë.
“Fakti se dikujt në shtëpi i janë gjetur çizme të lagura e të papastra dhe armë nuk mund të jenë dëshmi të mjaftueshme për të mbështetur akuzat për kryerje të këtyre veprave të rënda penale. Në atë kohë, ai ka qenë në një vend krejtësisht tjetër, ku ka pasur shumë dëshmitarë” – tha avokati Delloviq, shkruan Kallxo.com