Daja dhe Kureta apel prindërve: Vaksinoni fëmijët ndaj fruthit, lidhja me autizmin e rrëzuar shkencërisht

nga D. V.

Konfirmimi i rastit të fundit me fruth te një fëmijë trevjeçar i pavaksinuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka mobilizuar sërish strukturat e ISHP-së në një apel të përbashkët ndaj prindërve për të vaksinuar fëmijët ndaj kësaj sëmundjeje ngjitëse.

Sipas ISHP-së gjatë vitit 2025, në Shqipëri janë konfirmuar 18 raste me fruthi. Shumica e rasteve i përkasin grupmoshës pediatrike  0–14 vjeç, ndërsa vetëm një rast është regjistruar tek një i rritur.

Dr. Elona Kureta epidemiologe në ISHP dhe Dr. Rovena Daja shefe e Programit te Vaksinimit pranë të njëjtit institucion, shprehen për ATSH se nga analiza e statusit të vaksinimit rezulton që 89% e rasteve me fruth gjatë këtij viti janë të pavaksinuar ose vetëm me një dozë vaksinë, fakt që konfirmon edhe një herë rolin vendimtar të vaksinimit dhe sidomos vaksinimit të plotë në parandalimin e sëmundjes.

“Në lidhje me shpërndarjen, rastet janë përqendruar kryesisht në Fier ku ka patur një shpërthim epidemik në një kopsht me fëmijë të pavaksinuar dhe në Tiranë. Rastet e tjera janë regjistruar në zona të ndryshme të vendit, por falë vaksinimit rastet nuk kanë shkaktuar shpërthime epidemike. Krahasimi me vitet e mëparshme tregon se numri i rasteve në vitin 2025 është më i ulët se një vit më parë, megjithatë, vazhdojmë te kemi qarkullim të fruthit ne vend për shkak të rënies së mbulesës me vaksina sidomos me dozën e parë duke përbërë një rrezik për shpërthime epidemike”, shprehet Kureta.

Dr. Kureta tha se nga perspektiva e shëndetit publik, elementi më i rëndësishëm për ndërprerjen e transmetimit të fruthit është vaksinimi në kohë dhe i plotë i fëmijëve dhe të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar më parë, sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit.

“Të dhënat për vitet 2017–2024 tregojnë që mbulesa vaksinale me dy doza për 5-vjeçarët ka mbetur relativisht e qëndrueshme, 92% por sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH), për eliminimin e fruthit kërkohet mbulim me më shumë se 95% të popullësisë me dy doza. Rënia e mbulimit për dozën e parë dhe të dytë paraqet një rrezik serioz për rikthimin e shpërthimeve”, tha Daja.

Sipas Dajës, një nga arsyet kryesore të vonesës në vaksinim është shtyrja e qëllimshme e dozës së parë nga prindërit. Shpesh, sipas saj prindërit presin që fëmija të fillojë të ecë dhe të flasë, duke e aplikuar dozën e parë të vaksinës FRP jo në moshën e rekomanduar 12 – 15 muaj por me vonesë ose duke e vonuar atë edhe pas moshës 2 vjeç ose duke mos e aplikuar fare atë.

“Kjo praktikë e lë fëmijën të pambrojtur për një periudhë kritike ndaj fruthit. Kjo vonesë lidhet kryesisht me frikën e pabazuar nga një lidhje e supozuar mes vaksinës FRP dhe autizmit, një pretendim i rrëzuar plotësisht nga studime të shumta shkencore. Në përhapjen e kësaj frike ndikon ndjeshëm edhe dezinformimi në rrjetet sociale dhe media jo të besueshme, të cilat shpesh amplifikojnë mesazhe të pasakta dhe jo shkencore. Po ashtu edhe mjekët nuk punojnë sa duhet me prindërit për t’u dhënë mesazhet e sakta. Gjithashtu, pandemia COVID-19 ka pasur ndikimin e saj, duke shkaktuar hezitim për paraqitje në qendrat shëndetësore dhe shtyrje të vaksinimeve, veçanërisht për dozën e parë të FRP”, vijoi Daja.

Dr. Kureta dhe Dr. Daja thonë se fëmijët e paimunizuar nën 5 vjeç, dhe sidomos të porsalindurit, janë shumë të riskuar përballë fruthit dhe komplikacioneve të tij, duke çuar deri në vdekje.

“Neonatët e infektuar me fruth mund të vuajnë nga diarrea, e cila mund të shkaktojë dehidratim. Fëmijët mund të zhvillojnë inflamacion të veshit të mesëm dhe infeksione të ndryshme të traktit respirator. Pneumonia është shkaku kryesor i vdekjeve që lidhen me fruthin. Kjo ndodh sepse virus i fruthit dobëson sistemin imunitar. Pneumonia mund të shkaktohet nga virus i fruthit direkt ose nga infeksione bakteriale sekondare. Encefaliti, një inflamacion i rrezikshëm i trurit është një nga komplikacionet e rënda të fruthit duke cuar në prapambetje mendore dhe belbëzim”, theksuan ato.

Mjeket e ISHP-së, përsërisin apelin drejtuar prindërve për të vaksinuar fëmijët ndaj fruthit, si e vetmja mënyrë efektive për të parandaluar këtë sëmundje.

“Të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen kundër fruthit. Vaksina FRP është e sigurt, efektive dhe nuk ka asnjë lidhje me autizmin. Vonesat në vaksinim i lënë fëmijët të pambrojtur ndaj një sëmundjeje shumë ngjitëse dhe potencialisht fatale. Duke vaksinuar fëmijët në kohë, prindërit mbrojnë jo vetëm fëmijën e tyre, por edhe komunitetin”, përfundoi Daja.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More