Danimarka: Emërimi i të dërguarit special amerikan në Groenlandë krejtësisht i papranueshëm

nga D. V.

Danimarka njoftoi sot se do të thërriste ambasadorin e SHBA-së, pas emërimit nga Donald Trump të një të dërguari të posaçëm në Groenlandë, territor autonom danez, që presidenti i SHBA-së ka kërcënuar ta aneksojë.

Ajo e konsideroi vendimin “krejtësisht të papranueshëm”.

“Jam thellësisht i zemëruar për këtë emërim, të cilin e konsideroj krejtësisht të papranueshëm”, tha ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen për transmetuesin danez TV2 duke shtuar se do ta thërriste ambasadorin e SHBA-së në ditët në vijim “për të marrë një shpjegim”.

Presidenti Donald Trump njoftoi dje emërimin e guvernatorit të Luizianës, Jeff Landry, një republikan, si të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara në Groenlandë, territorin e gjerë autonom danez të lakmuar nga Uashingtoni.

“Jam i kënaqur të njoftoj se po emëroj guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, në pozicionin e të Dërguarit Special të Shteteve të Bashkuara në Groenlandë”, deklaroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.

Në një mesazh të postuar po dje në llogarinë e tij në X, Jeff Landry falënderoi Trumpin.

“Është një nder t’ju shërbej pro bono në bërjen e Groenlandës pjesë të Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai, përpara se të sqaronte se emërimi i tij “nuk ndikon në asnjë mënyrë” në detyrat e tij si guvernator i Luizianës.

Janarin e kaluar, 85% e banorëve të Groenlandës thanë se kundërshtonin anëtarësimin e ardhshëm të Groenlandës në Shtetet e Bashkuara, sipas një sondazhi të botuar në gazetën e përditshme të Groenlandës ”Sermitsiaq”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More