Deklarata e Angellovit a mund të ketë dalë nga kuzhinat e BDI-së, në emër të “mbrojtjes” tentoi ta dëmtojë VLEN-in!

nga I.A

Shkup, 18 qershor – Nga mënyra se si u artikulua dhe nga momenti kur u tha, deklarata e Stojançe Angellovit për dakordimin me VLEN-in që Ligji për branitellat të kalojë pas zgjedhjeve, më shumë ngjan me një aksion të qëllimshëm politik sesa me një sqarim të sinqertë. E gjithë deklarata e tij, në vend që ta mbrojë koalicionin VLEN nga një çështje e ndjeshme për opinionin shqiptar, në fakt e vendosi këtë koalicion në shënjestër të sulmeve të shumanshme. Nëse kishte një ide të keqe për ta ruajtur VLEN-in nga një “goditje” e mundshme elektorale, kjo ishte pikërisht mënyra më e keqe për ta bërë, shkruan Zhurnal.

Mbrojtje pa sens –

Në politikë, ka deklarata që pavarësisht se çfarë thuhet, rëndësi ka kur dhe si thuhet. Dhe deklarata e fundit e Stojançe Angellovit se paska pasur marrëveshje me koalicionin VLEN për të shtyrë ndryshimet në Ligjin për branitellat pas zgjedhjeve lokale “që të mos dëmtohet VLEN” – është pikërisht një nga ato fjalë që nuk shërbejnë për të mbrojtur, por për të djegur partnerë. Aq më tepër kur bëhet në mënyrë publike, duke hapur dyer të mëdha për spekulime politike dhe përçarje të qëllimshme.

Deklarata që në pamje të parë duhej të tingëllonte si një mbështetje për VLEN-in, në realitet rezulton si një goditje e drejtpërdrejtë që e vë këtë koalicion në pozitë të palakmueshme përballë opinionit shqiptar. Sepse tashmë ajo që u artikulua, u përkthye menjëherë si një ujdi në dëm të interesit kombëtar një lëshim në një temë tejet të ndjeshme, e cila për shqiptarët nuk simbolizon drejtësi, por padrejtësi historike dhe diskriminim institucional.

Në këtë drejtim, është e natyrshme të lindë dyshimi mos vallë kjo deklaratë nuk ishte gafë spontane, por një manovër e mirëkalkuluar nga kuzhinat politike të BDI-së, që kanë përvojë në prodhimin e krizave të vogla për përfitime të mëdha? Sepse askush më mirë se ata nuk e di se si një fjali e lëshuar në momentin e duhur mund të përmbysë përceptimin publik për një aleat të ri politik që kërcënon hegjemoninë e tyre.

Nga ana tjetër, reagimi nga radhët e VLEN-it nuk mungoi. Deputetja Imerlije Saliu ishte e prerë: “Nuk ka branitella pa UÇK-në!”. Ajo u kujtoi Angellovit dhe të ngjashmëve se BDI-ja ka qenë bashkëhartuesja e ligjit për branitellat dhe se tash, nëse duhen ndryshime, ato duhet të bëhen në tandem me njohjen e ligjshme të kontributit të UÇK-së. Kjo nuk është vetëm çështje politike, por një kërkesë minimale për barazi historike dhe morale.

VLEN ka ndërtuar legjitimitetin e saj mbi parimin se nuk ka kompromis në dëm të interesit kolektiv shqiptar. Dhe këtë vijë e ka bërë të qartë: nuk do të ketë avancime për një palë pa u respektuar pala tjetër. Në këtë sens, çështja e Ligjit për branitellat dhe përjashtimi sistematik i pjesëtarëve të UÇK-së nuk mund të mbeten më tabu. E aq më pak të përdoren si kurth politik për të diskredituar partnerët e rinj në qeverisje.

 

Në fund të ditës, ky episod shërben si kujtesë se nuk mbrohet një partner politik duke e ekspozuar para publikut me nënkuptime të dëmshme, dhe as nuk ndërtohet besimi duke përhapur fjalë të “mbështetjes” që shërbejnë më shumë si helm i ngadaltë sesa si ndihmë. Nëse Angellov mendoi se po bënte një gjest lojaliteti, rezultati ishte krejt i kundërt ai vetëm sa ndezi një tjetër dritë alarmi për ata që nuk harrojnë se kush e miratoi dhe e ndryshoi atë ligj ndër vite dhe kush nuk e bëri asnjëherë as përpjekjen për barazi me UÇK-në. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More