Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, shprehet i bindur se mandati i Sali Berishës nuk do të digjet për shkak të masës së arrestit.
Nga studio e Ditarit në A2 CNN, Kaso shpjegoi se ka dy elementë mbi të cilët bazon gjykimin. Njëri lidhet me shkaqet e mungesës në sallën e Parlamentit, që sipas Kushtetutës, duhet të jetë pa arsye.
“Kushtetua e thekson pa arsye. Ne kemi kemi një qëndrim politik të konsoliduar që zoti Berisha qëndron në një burgim politik të padrejtë. Zoti Berisha ka zgjedhur që ta ushtrojë mandatin e deputetit dhe në dijeninë time ka kërkuar 3 herë, që të marrë pjesë në seancat e Kuvendit, leje që i është mohuar”.
Elementi i dytë, sipas Ivi Kasos, lidhet me ushtrimin e funksioneve të deputetit, të cilin thotë se Berisha e ka ushtruar edhe në kushtet e arrestit të shtëpisë.
“Ka zgjedhur atë mandat ta ushtrojë në forma të tjera, pra nëpërmjet komunikimit me zgjedhësit, duke qenë dhe pjesë aktive e iniciativave të tjera paralamentare, siç janë ato të propozimeve legjislative, kërkesë për interpelancë, të gjitha këto ligji për statusin e deputetit i përcakton si aktivitet parlamentar. Pra zoti Berisha është duke ushtruar aktivitetin parlamentar”.
Për këto arsye, krahasimi me rastin e ish-zëvendës Kryeministrit Arben Ahmetaj, nuk qëndron sipas Kasos.
“Paralelizmi mbaron këtu, pasi zoti Ahmetaj në periudhën e arratisë nuk kreu asnjë prej aktiviteteve parlamentare, ndryshe nga Berisha i cili me shkrim ka shprehur vullnetin drejtuar organeve ligjzbatuese që të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.Në pamundësi të kësaj pjesëmarrje ka zgjedhur që ta zhvillojë me mjetet e tjera ligjore të lejueshme që e shohim përditë”.
E teksa Berisha vijon të qëndrojë në arrest në shtëpi, zgjedhjet po afrohen dhe Kaso kërkon reflektim nga mazhoranca për të përfunduar reformën zgjedhore.
“Ka një ngecje dhe hezitim nga ana e mazhorancës të cilën shpresojmë qenë këtë periudhë që ka mbetur ta thyejmë dhe të mbivendosim interesin publikimi interesin elektoral të PS. Po të ketë vullnet nga pala tjetër mund të bëjmë diçka”.
Sa i përket çështjes së vulës dhe logos së Partisë Demokratike, zyrtari demokrat sqaron se vendimi i apelit është përfundimtar dhe i bën ftesë mbështetësve të Lulzim Bashës që të bashkohen.
Teksa Basha tenton të propozojë një logo të re si Demokratët Euroatlantik, Kaso i tregon Kodin Zgjedhor dhe i bën thirrje që të mos keqpërdorë emrin e Partisë Demokratike.
“Nëse do të krijojë një forcë të re politike, gjë që unë dyshoj, emri dhe simbolet e kësaj force, emri dhe logo nuk mund të jetë ngjashme ose të ngatërrueshme, me të një subjekti më të vjetër.”
Sipas tij, lëvizja e Bashës është manovër për të parë nëse do ketë mbështetje politike.