Shkup, 4 tetor – Se burgjet në Maqedoninë e Veriut nuk janë në gjendje të duhur është dëshmuar në gjitha raportet e bëra deri më tani. Përpos kushteve të këqija mizoreske problem mjaftë serioz është edhe mbipopullimi i burgjeve të vendit. Ku sipas përllogaritjeve të fundit është dëshmuar që një i burgosur i kushton shtetit rreth 2.100 denarë në ditë ose mbi 10.000 euro në vit, varësisht nga burgu. Pra, bëhet llogari për koston e një të burgosuri por nuk bëhet llogari për vjedhjen e lirisë të burgosurve padrejtësisht, shkruan Zhurnal.
Llogaritet kostoja e të burgosurve por nuk flitet për lirimit e të burgosurve padrejtësisht –
Një i burgosur i kushton shtetit rreth 2.100 denarë në ditë ose mbi 10.000 euro në vit, varësisht nga burgu. Aktualisht në vend janë 2400 të burgosur dhe po kaq presin të hyjnë në burgjet, deklaroi drejtori i Drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve, Aleksandar Pandov.
Ulja e numrit të të burgosurve, theksoi Pandov, mund të bëhet në tri mënyra – përmes lirimit me kusht, mbikëqyrjes elektronike dhe risocializimit më të mirë të të dënuarve, sepse 60 për qind janë të kthyer.
“Fatkeqësisht, Maqedonia deri më tani është dashur të ketë një burg krejtësisht të ri në Idrizovë, por përveç fazës së parë, asgjë nuk është bërë. Fatkeqësisht, paratë që janë siguruar tani janë nën moratorium. Javën e ardhshme duhet të ketë kontroll dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të shkrihen ato mjete”, tha Pandov.
Rreth 400 persona aktualisht kanë A-trajtim dhe ata, sipas Pandovit, tashmë janë duke shfrytëzuar ditët e lira dhe angazhimin në punë. Pandov, ndër të tjera, theksoi se do të kemi një repart krejtësisht të ri paraburgimi për 400 persona në Idrizovë. Në vend aktualisht rreth 50 persona vuajnë dënimin me burg të përjetshëm.
Kushte katastrofale dhe trajtim jo njerëzor i të burgosurve në vend –
Sjellje e papërshtatshme, johumane, abuzuese ndaj të burgosurve, kushte jo të mira, qeli të stërngarkuara me të burgosur dhe mungesë të medikamenteve dhe mbrojtjes shëndetësore. Këto janë disa prej vërejtjeve më kryesore të Komitetit të Helnsikut, të cilat u shënuan në raportin e fundit për gjendjen e burgjeve.
Sipas Komitetit të Helsinkut, fajtori kryesor për këtë gjendje nuk është tek drejtuesit e burgjeve apo te Drejtoria e Sanksioneve, por është tek shteti i cili për këtë çështje nuk duhet të mbështetet vetëm tek donacionet e huaja, por të sigurojë mjete të mjaftueshme për të përmirësuar kushtet dhe për mirëmbajtjen e këtyre institucioneve.
Sipas avokatit të popullit, Naser Ziberi, të dënuarit në burgun e Idrizovës janë vendosur në hapësira tejet problematike që shpesh herë kanë qenë shkaktare për tensione ndërmjet të dënuarve. 16 të dënuar në një hapësirë prej 16 metrave katrorë, kjo është e tmerrshme dhe mizore një metër katror për një person, që nuk ngjanë aspak me vend ku mbahen dënime por më shumë me shpella dhe vrima ku bëhen keqtrajtime.
Hapësira tjera të ngjashme ku në 19 metra katrorë janë vendosur 12 persona. Nga inspektimet që kanë bërë nga avokati popullit gjatë raportimit vitin që lamë pas thanë që kushtet janë katastrofale dhe aspak normale. Sipas tyre, ka pasur edhe njerëz që janë të shtrirë nëpër dysheme, në korridore, krevete të improvizuara. Për kushtet higjienike nga kontrollet e realizuara është konstatuar se janë tejet në nivel të ulët.
Pra, nga raporti i Avokatit të Popullit thuhet që në burgun e Idrizovës, si dhe disa burgje të tjera, ka mbipopullim dhe mungesë të hapësirave për të dënuarit. Mes tjerash në burgun e Idrizovës dhe atë të Shutkës është konstatuar që janë përdorur edhe rripa të lëkurës në vend të prangave.
Mbeten mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve – sistem i keq i menaxhimit dhe punës së punonjësve, mungesë e stafit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor për të dënuarit, dhunë mes personave të dënuar, kushte të mjera materiale, mungesë e aktiviteteve të dedikuara dhe korrupsion endemik, pati theksuar Komisioni Evropian në raportin e para këtij viti për progresin e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, duke marrë për analizë raportin e Komisionit Evropian të këtij viti dhe vitit të kaluar, si dhe raportin e Avokatit të Popullit, lirshëm mund të konstatohet gjendja momentale në burgjet e vendit që është e mjerueshme dhe predispozitat më të larta janë që këto vende të klasifikohen si vende keqtrajtimi dhe jo vende ku mbahen dënimet. Kujdesi shëndetësor dhe higjiena në nivel shumë të ulët ajo për të cilën kanë më së shumti nevojë të burgosurit. Duhet të kujtojmë që të dënuarit në ato hapësira të kufizuara janë të stërngarkuar me numër mbi normalen në proporcion me hapësirën dhe metrat katror të dhomave. Në këto hapësira të pa pastra dhe pa kujdes mjekësor të dënuarit kalojnë 23 orë, një orë të vetme e kanë pauzë jashtë për ajrosje, për të thithë ajrin e ndotur të Shkupit. /Zhurnal.mk