Kumanovë/Likovë, 24 maj – Pas reshjeve të mëdha të breshëritë që e përfshinë rajonin e Kumanovës dhe Likovës për të tretën ditë me radhë, kumanovarët nuk mund ta shfrytëzojnë ujin për pije. Shumica e banorëve me ujë të pijshëm furnizohen nga dyqanet, por thonë se ka edhe nga ata që pinë ujin e çezmës pasi ta kenë vluar.
“Jemi duke blerë ujë. Cila ditë me radhë është kjo? E treta…Disa e vlojnë, disa nuk e vlojnë. Ne më së shumti prej bojlerit e përdorim për me pastru enë, ndërsa për ta pirë nuk e pimë”, tha një banor.
“Jo njëherë jo, akoma. Po blejmë ujë nëpër shitore, por këtë ujë akoma nuk po e përdorin derisa të na thonë që ta përdorim… Është pak si vështirë, për ta pirë, se për të larë prapë më mirë”, u shpreh një tjetër banor.
“Është vështirë por çfarë të bëjmë, nuk kemi zgjidhje tjetër. Po blejmë ujë prej shitores, nëse nuk na lënë me pi, duhet të përdorim atë që e shesin në shitore. -Çfarë u kërkoni autoriteteve? Sa më shpejtë me rregulla situatën”, theksoi një banor.