Edhe në Pejë nisin hetimet për manipulim të votave

nga D. V.

Prokuroria Themelore në Pejë ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.

Sipas njoftimit, autorizimi i parë për fillimin e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Ndërkohë, veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Nga dita e sotme ka nisur procesi i intervistimit të komisionarëve, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Ky proces, sipas Prokurorisë, ka për qëllim sqarimin dhe zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me rastin.

Prokuroria Themelore në Pejë bën të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.

Po ashtu, është bërë e ditur se Prokuroria Themelore në Pejë do ta mbajë të informuar opinionin publik për të gjitha zhvillimet e mëtejshme që lidhen me këtë proces hetimor. 

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More