Edhe pushteti edhe opozita po “përtojnë” të futen në garë zgjedhore në Gostivar, Saraj dhe Aerodrom?!

nga I Z

Shkup, 6 shtator – VLEN dorëzoi në Kuvend propozim ndryshimet për Ligjin për vetëqeverisje lokale, të paralajmëruara prej kohësh. Sipas sqarimeve nga koalicioni, propozimi parashikon që të mos ketë zgjedhje të parakohshme në komunat që udhëhiqen nga ushtrues detyre, nëse deri në zgjedhjet e ardhshme kanë mbetur më pak se dy vjet.
Është e qartë se ndryshimet ligjore kanë të bëjnë me situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, me ç’rast tri komuna-Aerodromi, Gostivari dhe Saraji mbetën pa kryetarë, sepse kryetarët u bënë ministra dhe në vend të tyre, sipas ligjit aktual, u emëruan ushtrues detyre.

Ndryshimet e propozuara nga VLEN do të përkrahen edhe nga partnerët tjerë të koalicionit qeveritar, sepse edhe ministri i Vetëqeversijes Lokale Zllatko Perinski, ka konfirmuar se do të ketë ligj të ri, të përpiluar me të gjitha palët e interesuara.
Çështjet për kryetarët e komunave dhe zgjedhjet e parakohshme lokale rregullohen me Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Sipas dispozitave aktuale, ushtruesit e detyrës kanë mandat vetëm gjashtëmujor, dhe zgjedhje të parakohshme nuk organizohen vetëm nëse deri në zgjedhjet e rregullta kanë mbetur më pak se gjashtë muaj.

Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Halil Snopçe, sqaroi për Alsat, se ndryshimet e propozuara, nëse miratohen, do të vlejnë deri në dhjetor të vitit 2025. Qëllimi është të gjendet zgjidhje deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta, për t’u shmangur shpenzimet e panevojshme, kurse më vonë të përpilohet ligj i ri me një zgjidhje afatgjate. Këtë e premtone dhe ministri i pushtetit lokal.
“Ne si Ministri për Vetëqeverisje lokale e parashikojmë në planin tonë të veprimit dhe shpresoj që vitin e ardhshëm, përmes një debati më të gjerë ku do të kyçen edhe njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe të gjithë ekspertët që e njohin materien, do të hymë në procedurë të ndërtimit të një ligji të ri për vetëqeverisje lokale”, tha Zllatko Perinski, ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Duke pasur parasysh se propozimi për ndryshimin e ligjit nuk është kundërshtuar as nga BDI, e as nga LSDM, duket se as opozita nuk është e interesuar për duel të jashtëzakonshëm zgjedhor në tri komuna, një vit para zgjedhjeve të rregullta lokale që do të mbahen në vjedhtë të vitit të ardhshëm, shkruan Zhurnal.
Është e qartë se lodhja nga zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare në pranverë të këtij viti, akoma është prezente edhe tek pushteti edhe tek opozita, kështu që dy taboret preferojnë të grumbullojnë forca deri në vjeshtë të vitit të ardhshëm, kur “përplasja” zgjedhore do të përfshin të gjitha komunat në vend. Kjo njëheri tregon edhe rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme lokale, në të cilat tabori i pozitës dhe opozitës duan të futen sa më të përgatitura, sepse për shumë çka ato mund të jenë përcaktuese për zhvillimet politike në një periudhë më afatgjate politike.

Falë këtij disponim të politikës, do të përfitojnë edhe qytetarët e vendit, sepse nëse miratohen ndryshimet ligjore, nuk do të bëhen harxhime të mjeteve buxhetore për organizim të procesit zgjedhor në tri komuna./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More