Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se “ne do të vazhdojmë bashkëpunimin në shëndetësi me operimin e përbashkët të Spitalit të miqësisë në Fier, të cilin e ndërtuam në një kohë rekord në vitin 2021”.
“Do të ofrojmë gjithashtu mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë strategjik dhe aleatit tonë të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake”, tha Erdogan në deklaratën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama.
Presidenti turk informoi se me Kryeministrin Rama diskutuan edhe mbi çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, kundër FETO-s.
“Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që kemi marrë sot”, tha Erdogan.
Më tej, Erdogan tha se “sot së bashku me mikun tim Rama do të hapim xhaminë e Namazgjasë e cila është dhuratë e popullit turk për motrat dhe vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri”.
“Falënderoj të gjithë ata që kontribuan në këtë proces kjo vepër e shquar xhamia më e madhe në Ballkan do të jetë vendi adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit, vlerat supreme të Islamit. Dua të falënderoj kryeministrin Rama për mikpritjen e sinqertë dhe shpresoj që vendimet që do të marrim të jenë të dobishme. Këto hapa që do të hedhim edhe për turizmin, vendimet që kemi marrë të jenë të dobishme për të dyja vendet tona”, tha Erdogan.