Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me dhënien e diplomave false nga kolegji “Wisdom”, në këmbim të pagesave.
Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Tiranës bën të ditur se, “mbi bazën e kallëzimit të shtetasit S.C në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Wisdom”, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” parashikuar nga Kodi Penal”.
Sipas organit të akuzës, çështja është në fazën e hetimeve dhe informacion më i detajuar në lidhje me veprimet hetimore në këtë fazë nuk mund t’u vihet në dispozicion mediave për shkak të sekretit hetimor.
Pak ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Sportit informoi se pas kontrollit të kryer në Kolegjin Universitar “WISDOM” dhe aktivitetin e tij në Shqipëri ka konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare.
“Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij”, theksohet në deklaratën e saj Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Po ashtu në njoftim, MAS bëri të ditur se bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndjek procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.
Ndërsa mediet italiane bënë të ditur në fillim të kësaj jave se Savino Cianci, pronar dhe Leonardo Catalano, administrator i Kolegjit Universitar “WISDOM” në Tiranë, janë arrestuar nga autoritetet në Itali, pasi dyshohet se janë përfshirë në një skemë mashtrimi me lëshimin e diplomave dhe certifikatave false.
