Shkup, 2 korrik – Bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Italisë është në nivel të lartë, por potenciali ende nuk është shfrytëzuar mjaftueshëm, veçanërisht në pjesën e tranzicionit energjetik, ekonomisë qarkulluese, infrastrukturës, lidhjet dhe inovacionet teknologjike. Kompanitë e të dyja vendeve duhet të intensifikojnë kontaktet direkte dhe së bashku të kontribuojnë në forcimin e lidhjeve të qëndrueshme të biznesit, porositën pjesëmarrësit në Forumin e sotëm të biznesit në Shkup.
Forumin e hapi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Marija Tripodi.
Mucunski theksoi se diplomacia ekonomike është një prioritet strategjik i Qeverisë, ndërsa Italia mbetet partner shumë i rëndësishëm, veçanërisht në pjesën e investimeve.

“Theksi i forumit është në forcimin e bashkëpunimit në pjesën e tranzicionit energjetik, infrastrukturës, inovacioneve teknologjike dhe digjitalizimit, por edhe në përdorimin e instrumenteve financiare për internacionalizimin. Besoj se në një të ardhme të afërt do të shohim rezultatet praktike të para të këtij plani”, theksoi Mucunski.
Sipas tij, niveli i shkëmbimit tregtar me Italinë vitin e kaluar ishte rreth 685 milion euro.
Ai shprehu pritshmëri se do të vazhdojë bashkëpunimi katërpalësh me Italinë, Shqipërinë dhe Bullgarinë për Korridorin 8.
Tripodi, e cila në fjalimin e saj u përqendrua në marrëdhëniet ekonomike, shprehu mbështetje për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Ajo konstaton se janë shfrytëzuar ende pak potencialet për bashkëpunim në ekonominë qarkulluese, tranzicionin energjetik, infrastrukturë, lidhje dhe inovacione teknologjike.
Pas forumit është paraparë takim dypalësh mes ministrit Mucunski dhe zëvendësministres Tripodi.