Forumi BE- Ballkani Perëndimor, nënshkruhen projekte me vlerë rreth 400 milionë euro

nga L. M

Forumi i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, ka nisur me rezultate konkrete dhe angazhime të rëndësishme ekonomike, duke konfirmuar potencialin e rajonit për t’u integruar me tregun e Bashkimit Evropian.

Në ditën e parë të Forumit u nënshkruan letra qëllimi për projekte me vlerë rreth 400 milionë euro. Këto angazhime janë përqendruar në sektorët strategjikë si: Inteligjenca Artificiale (AI); Energjia e Pastër; Industria Automotive.

Në panelin e parë të ditës së dytë, zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, theksoi se Forumi po shërben si një platformë thelbësore për të thelluar bashkëpunimin ekonomik.

“Dita e parë konfirmoi synimin tonë për të thelluar bashkëpunimin BE-Ballkani Perëndimor, përmes nënshkrimit të letrave të qëllimit për projekte konkrete që pritet të zbatohen vitin e ardhshëm,” tha Manjani.

Zëvendësministrja Manjani rikujtoi gjithashtu deklaratën e Presidentes së Komisionit Evropian, e cila ka bërë të ditur se përmes kësaj nisme synohet të tërhiqen investime në vlerën e rreth 6 miliardë eurove në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Manjani nënvizoi se integrimi evropian mbështetet fort në investime të koordinuara në infrastrukturë, zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e kapitalit njerëzor, të cilin e cilësoi si një nga burimet më të çmuara të rajonit.

Sipas saj, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë dëshmuar tashmë potencial të lartë për t’u lidhur me sistemet financiare të BE-së, prandaj është jetike që rajoni “të ecë përpara si një tërësi e bashkuar.”

Gjatë ditës së dytë, forumi ka planifikuar pesë sesione shtesë, ku kompani të ndryshme do të prezantojnë projekte konkrete me synimin për të siguruar angazhime të drejtpërdrejta investimesh, duke nxitur kështu inovacionin dhe përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me Bashkimin Evropian.

/rtsh.al/

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More