Gjipali për ATSH: Shqipëria në rrugën e duhur të negociatave, kapitujt kërkojnë angazhim maksimal

nga D. V.

Shqipëria mbajti dje në Bruksel Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku u hapën edhe katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim.

Shqipëria hodhi kështu një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, pasi këta 4 kapituj iu shtohen 24 kapitujve të negociatave për anëtarësim, që janë hapur në vetëm 11 muaj.

Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE iu kushtua grup-kapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.

Kapitujt përfshijnë: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27)”, të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Drejtori ekzekutiv i EMA (European Movement in Albania), Gledis Gjipali deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, mesazhi politik i hapjes së këtyre kapitujve në një kohë rekord është që procesi po ecën me ritme të shpejta dhe Shqipëria është në rrugën e duhur.

Ai theksoi gjithashtu se, BE është mbështetëse e procesit dhe po nxit reformat në vend dhe njëkohësisht po ndërmerr hapat e duhur proceduralë pa vonesa.

Gjipali nënvizoi se, tashmë vendi ynë është në fazën më të rëndësishme, atë të zbatimit të detyrimeve që vijnë nga hapja e kapitujve për të arritur standardet evropiane.

Intervista me drejtorin ekzekutiv të EMA (European Movement in Albania), Gledis Gjipali

ATSH: Cili është mesazhi kryesor politik dhe praktik që jep hapja e këtyre 4 kapitujve për Shqipërinë?

Gjipali: Mesazhi politik është që procesi po ecën me ritme të shpejta dhe Shqipëria është në rrugën e duhur. Po ashtu BE është mbështetëse e procesit dhe po nxit reformat në vend e njëkohësisht po ndërmerr hapat e duhur procedural pa vonesa. Nga ana praktike do të thotë që do të ketë shumë më tepër punë për administratën dhe shoqërinë shqiptare për të arritur standardet e kërkuara në një periudhë të shkurtër.

ATSH: Në çfarë faze konkrete futet vendi ynë pas hapjes së Grupit 4 të negociatave?

Gjipali: Tashmë jemi në fazën më të rëndësishme, atë të zbatimit të detyrimeve që vijnë nga hapja e kapitujve për të arritur standardet evropiane.

ATSH: Çfarë përfitimesh të prekshme mund të presë Shqipëria në fushën e transportit dhe energjisë nga ky hap?

Gjipali: Përfitimet nuk janë të menjëhershme, por në muajt në vijim do të ketë më shumë vëmendje e angazhim nga pala evropiane për këto fusha duke sjellë ekspertizë evropiane dhe mbështetje financiare. Po ashtu është një nxitje më shumë për investimet e huaja duke qenë se i afrohemi standardeve evropiane në këtë kapituj. Kompanitë evropiane do jenë më të tërhequra ndaj tregut shqiptar duke e ditur që do të zbatohet së shpejti i njëjti legjislacion.

ATSH: A mund të konsiderohet ritmi i hapjes së kapitujve nga Shqipëria si një “rekord” në krahasim me vendet e tjera të rajonit?

Gjipali: Po, ritmi i hapjes është shumë i shpejtë, siç e tha dhe komisioneria Kos, që BE ka hapur me shumë kapituj gjatë këtij viti sesa në 5 vitet e shkuara. Ky është një sinjal pozitiv si nga Shqipëria, ashtu dhe nga BE, dhe do duhet të mbahet ky ritëm dhe me arritjen e kritereve dhe mbylljen e kapitujve nëse do duam të arrijmë objektivin ambicioz të fundit të 2027-s për mbylljen e procesit të negociatave.

ATSH: Cilat janë hapat e radhës pas kësaj konference ndërqeveritare dhe ku duhet të përqendrohet prioriteti i qeverisë shqiptare?

Gjipali: Hapi i radhës është hapja e grup-kapitullit të fundit që ka ngelur, që do të thotë të gjithë kapitujt janë të hapur dhe do të negociohen. Tashmë fillon pjesa më e vështirë e zbatimit të detyrimeve që kemi në të gjitha fushat. Nuk do ketë më prioritete specifike, të gjithë kapitujt kërkojnë angazhim maksimal, që do të thotë, jo vetëm administrata publike që është kryesorja, por dhe grupet e ndryshme të interesit, si biznesi, shoqëria civile, Akademia, etj.

ATSH: Sa i përket procesit të mbylljes së kapitujve, kur pritet të nisë ky proces?

Gjipali: Procesi i mbylljes ka filluar njëkohësisht me hapjen. Janë disa kapituj më të lehtë e ku jemi më të avancuar, si për shembull ata që lidhen me politikën e jashtme, të cilët mund të mbyllen shumë shpejt. Gjithsesi duhet ta kemi të qartë që mbyllja është gjithmonë provizore, sepse deri në anëtarësim mund të dalin elementë të rinj nga ana e BE-së, por mund të kemi dhe hapa mbrapa nga ne, që mund të sjellin rihapje të tyre. Prandaj progresi duhet të jetë i qëndrueshëm, që të jetë i suksesshëm dhe me sa më pak kosto për vendin tonë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More