Në qytetin e Gjirokastrës është organizuar një aktivitet i veçantë në kujtim dhe nderim të artistëve të larguar nga jeta.
Pjesëmarrësit risollën në vëmendje kontributin e artistëve, poetëve, aktorëve dhe këngëtarëve, të cilët kanë lënë pas një krijimtari me vlera për artdashësit.
Emra të njohur si Jorgo Telo, Raq Paskali, Jorgo Roze, Drini Hila dhe Xhelal Angoni kanë lënë mbresa të pashlyeshme tek publiku gjirokastrit dhe më gjerë.
“Organizojmë një aktivitet të veçantë të titulluar ‘Përshpirtje Poetike’ për të gjithë krijuesit, jo vetëm të Lidhjes Ndërkombëtare ‘Pegasi Albania’ dhe qytetit të Gjirokastrës, por edhe më gjerë. Në këto kohë, kujtojmë poetët, shkrimtarët dhe artistët që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në jetën kulturore dhe artistike të këtij qyteti,” tha kreu i Lidhjes së Krijuesve “Pegasi”, Kristaq Shabani.
Aktivitete të tilla rikthejnë vëmendjen për vlerat e patjetërsueshme që artistët e Gjirokastrës kanë krijuar në vite.
“Të kujtosh krijimtarinë artistike dhe letrare të këtyre penave është një gjë e madhe. Gjirokastra ka patur gjithmonë karakteristikën e përkujtimit të masave për këta titullarë të artit dhe letërsisë shqipe,” shprehet Shabani.
Ai theksoi se “do të vazhdojmë, siç kemi bërë edhe në qytete të tjera si Shkodra, Durrësi dhe Vlorë. Po ashtu, do të shtrijmë këto aktivitete në Republikën e Kosovës, në Maqedoni dhe në vende të tjera, duke kujtuar gjithmonë penat e tyre dhe të gjithë aktivitetin që kanë zhvilluar në dekadat e kaluara.”
Gjirokastra, me emrat e njohur të krijuesve dhe artistëve në gjini të ndryshme të artit, vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme kulturore në Shqipëri.