Në Tiranë po zhvillohet sot Konkursi Ndërkombëtar për Rilindjen e pallatit të sporteve “Asllan Rusi”, ku 6 skuadrat finaliste prezantojnë për jurinë projekt-idetë arkitekturore.
I pranishëm në këtë prezantim ishte edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili tha se, pallati i sporteve shkon përtej një godine, pasi ai është një pjesë e historisë sonë, një hapësirë ku janë rritur breza të tërë sportistësh dhe ku sporti ka bashkuar njerëz, familje, ngjarje dhe komunitete.
“Me ringjalljen e “Asllan Rusi”, ne synojmë të krijojmë një arenë të vërtetë për sportet e sallës, një hapësirë unike bashkëkohore, të sigurt e funksionale, që do të shërbejë për garat më të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe për sportin masiv dhe komunitetin qytetar, fare pranë zemrës së Tiranës, kryeqytetit metropolitan”, u shpreh kreu i MTKS, Gonxhja.
Projekti është pjesë e një vizioni të qeverisë shqiptare për modernizimin e infrastrukturës sportive, duke kthyer sportin në prioritet të zhvillimit kombëtar.
“Ne e dimë mirë se sporti nuk formon vetëm atletë, por qytetarë më të mire”, u shpreh ministri Gonxhja, duke theksuar se kjo hapësirë do të jetë edhe një vend ku fëmijët do të mësojnë të dashurojnë sportin, ku familjet do të mblidhen për të ndjekur aktivitete, ku komunitetet do të gjejnë hapësirë për bashkëjetesë e energji pozitive.
Në fjalën e tij, ministri i MTKS, ka përmendur dhe lidhjen e sportit me zhvillim ekonomik: gjenerimin punësimit, turizmit, rritjen e të ardhurave për bizneset dhe ekonominë lokale etj.
Ministri kujtoi dhe arkitektin vizionar Sotir Papagjoni, duke thënë se në vitin 1963, kur u ndërtua, “Asllan Rusi” u konsiderua një nga objektet më të avancuara të kohës.
Gonxhja premtoi angazhim të palëkundur që çdo qytet, çdo shkollë dhe çdo komunitet të ketë hapësira të denja për të bërë sport.
“Sporti, si një nga kulturat më universale dhe të pazëvendësueshme të njerëzimit kërkon mbështetje të jashtëzakonshme, ndaj edhe ndjehem krenar për kontributin konkret për këtë model partneriteti që materializon një Arenë të re, multifunksionale, me certifikim nga federata ndërkombëtare si EHF, FIBA, etj, me kapacitet rreth 6,000 spektatorë, që do të shtohet në hartën e qyteteve që vrapojnë, garojnë, që ofrojnë turizëm sportiv dhe evente ndërkombëtare”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja.