Grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbi zbatimin e parimit të barazisë përpara ligjit ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar Gazment Bardhi, Prokuroria e Përgjithshme provoi dënimin e gjyqtares në Greqi, dënim të cilin Gjoka e ka fshehur në formularin e dekriminalizmit.
Në letrën dërguar kreut të SPAK, Klodjan Braho, Bardhi kërkon që të kryhen hetime pa vonesa në lidhje me Gjokën pasi po “po rrezikohet interesi publik, vetë sistemi i drejtësisë dhe interesat financiare të shtetit shqiptar”.
“Përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, si dhe ka falsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit”, thuhet në kërkesën e PD-së.
Në emër të deputetëve të Partisë Demokratike, Bardhi kërkon nga Prokuroria e Posaçme “që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast. Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakton pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar”.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka përfunduar verifikimet për gjyqtaren Irena Gjoka dhe rezultatet për vendim ia ka paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor.