Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, takon ambasadorin jo-rezident të Mbretërisë së Arabisë Saudite për Kosovë, SH.T. Faisal Ghazi Ismail Hifzi, dhe delegacionin ekonomik. Aty u bisedua për mundësi investimesh në Kosovë.
Në një postim në ‘Facebook’ BQK bën të ditur se guvernatori Ismaili i informoi të pranishmit lidhur me aktualitetet e sektorit financiar dhe angazhimin e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar, krijimin e politikave të qëndrueshme që kontribuojnë në promovimin e edukimit dhe gjithëpërfshirjes financiare.
“Gjithashtu ai i informoi lidhur me mundësitë që ofron sektori financiar në kuptim të mbështetjes së investimeve si dhe përparësitë që ofron ekonomia për investimet e huaja, në kuadër të avancimit të kornizës ligjore dhe infrastrukturore në kuadër të proceseve integruese evropiane”, thuhet në postim.
Nga ana e tij, ambasadori Ghazi Hifzi falënderoi guvernatorin Ismaili për gatishmërinë për të diskutuar me përfaqësuesit e Këshillit të Federatave të Odave Ekonomike dhe shprehu përkushtimin e Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite për të kontribuar në një dialog konstruktiv me institucionet e Kosovës, duke përfshirë BQK-në.
Në përfundim të takimit, palët shprehen përkushtimin për të shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimin në fushat me interes të përbashkët për ekonomitë e dy vendeve të mbështetur mbi partneritetin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
https://www.facebook.com/share/p/1SvUSFCuPB