Beteja politike nuk njeh pushim as në ditën e fundit të vitit. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli me një video mesazh, jo për të përcjellë urimin për 2025, por për të akuzuar Edi Ramën për qëndrimet publike që dha për kryebashkiakun Veliajn, duke nënvizuar, se ato janë një alibi për të kërkuar azil.
“Edi Rama i bëri dje Erion Veliajt dhuratën më të pazakontë për Vitin e Ri 2025. Ai defakto me deklaratën e tij se, Erion Veliajn po e linçojnë në vendin ku ai është kryeministër, i firmosi lejen e azilit politik, pothuajse në çdo vend që ai ta kërkojë, pasi linçimi është një akt i dënueshëm dhe meriton mbrojtje kudo që kërkohet”, tha Berisha.
Kryedemokrati në video flet për një shantazh të Veliajt ndaj Ramës.
Këto akuza vijnë pak ditë pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se Erion Veliaj është zyrtarisht hetim për katër vepra penale.