I mbaroi afati i paraburgimit, lirohet nga burgu ish-ministri Lefter Koka

nga D. V.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është liruar nga paraburgimi nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, pranoi kërkesën e Kokës për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, në lidhje me inceneratorin e Fierit. Sipas gjykatës kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Për inceneratorin e Fierit, Koka u dënua më 25 shtator 2023 nga GJKKO me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi zbritje në 6 vite e 8 muaj burgim.

Në dhjetor 2024, Apeli i GJKKO vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim në Shkallën e Parë. Më 21 tetor 2025, Gjykata e Lartë vendosi që dosja të shqyrtohet nga Apeli i GJKKO.

Koka u arrestua në dhjetor të vitit 2021 nën akuzat për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit. Në vitin 2023 ai u dënua me 5 vite e 8 muaj burg, por në korrik 2025 gjykata e Durrësit i njohu të drejtën e lirimit me kusht, duke vendosur që gjatë periudhës së mbetur të dënimit të mbajë kontakte të rregullta me shërbimin e provës dhe të mos kryejë vepra penale.

Sa i përket dënimin me 2 vite për inceneratorin e Tiranës, Koka e ka shlyer dënimin me kohën e paraburgimit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More