Shkup, 24 janar – Shqipëria vazhdon me fazën praktike të hapjes së grup-kapitujve me Bashkimin Evropian, vend fqinj i yni me të cilin deri në tetor të vitit të kaluar ishim në pako drejt aspiratave eurointegruese, përderisa Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet peng i mospërmbushjes së kushteve të kornizës negociuese, e që janë pjesë e brendshme politike. Ambasadori nga Shqipëria, Genci Muçaj, për TVM2, thotë se kjo ndarje nuk i bën mirë në përgjithësi rajonit, sepse vendet e Ballkanit udhëtojnë drejt një qëllimi të caktuar. Por, beson se brenda politikës shtetërore të vendit tonë do të gjendet zgjidhje për ta tërhequr pengesën nga rruga që çon në familjen evropiane.
“Nuk na gëzon fakti që ne jemi para, ju jeni prapa apo ne prapa ju para. Ne kemi dëshirë që i gjithë rajoni të jetë i integruar në Bashkimin Evropian, sepse ai është destinacioni i vetëm i Ballkanit. Ne jemi Evropë, ne jemi evropianë dhe besoj se edhe RVM-ja do të jetë pjesë integruese e BE-së, pa vonesa. Çdo çështje që mund të konsiderohet e brendshme, sepse dëshirat dhe aspiratat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut janë shumë herë më të forta sesa po themi, agjenda politike e njërit apo tjetrit.”, – deklaroi ambasadori nga Shqipëria, Genci Muçaj.
Ambasadori Muçaj është optimist se në raport me Bullgarinë do të gjendet ndonjë zgjidhje, tanimë me formimin e Qeverisë legjitime atje.
“Jam i sigurt se edhe për këtë do të gjendet një zgjidhje. Jam plotësisht i bindur.”, – theksoi ambasadori nga Shqipëria, Genci Muçaj.
Edhe përkundër ngecjes për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, Qeveria aktuale vazhdon angazhimin në përmbushjen e kritereve që janë pjesë e agjendës reformuese, respektivisht kushtet që kapin kornizën kohore trevjeçare të implementimit, 2024 -2027, për çka formula për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor ndau 750 milionë euro, një e treta prej tyre, mjete të pakthyeshme dhe pjesa tjetër, hua me kushte të volitshme.