Enida Mara, specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme e Promovimit të Qytetit, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se bashkia e Tiranës ka planifikuar disa aktivitete në bashkëpunim me individë, shoqata artistike dhe institucione të ndryshme në vend.
Panairi i Artizanëve nis sot (27 nëntor) dhe do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.
“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë. Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë”, tha Mara.
“Parada kuqezi” mbahet në 28 Nëntor dhe nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.
Specialistja pranë bashkisë së Tiranës, pohon për ATSH se në varësi të kushteve atmosferike, është menduar ndezja e dritave të pemës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri në 30 nëntor.
“Në rast se shiu do t’i “prishë” këto plane, ndezja e dritave do të bëhet në 2 dhjetor. “Këndojmë rreth pemës 2025” është tashmë një pjesë e rëndësishme dhe zyrtare e dekorit festiv. Pjesë e rëndësishme e këtij manifestimi është data e vendosjes së pemës, gjithashtu dhe ndezja e dritave që përbën një prej elementeve të rëndësishëm të këtij rituali. Qëllimi i këtij projekti është organizimi i një koncerti me muzikë festive korale në sheshin “Skënderbej” me rastin e ndezjes së dritave të pemës së Krishtlindjes”, shton Mara.
“Ky projekt do të sjellë një mbrëmje festive përmes performancave të artistëve shqiptarë më në zë si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të disa artistëve ndërkombëtarë. Në këtë mbrëmje do të ketë edhe këngëtarë të ftuar si Leonora Poloska, Kamela Islamaj, Redon Makashi, Kejsi Tola, Alma Bektashi, Vivian Biagioni etj. Ndërsa të ftuar ndërkombëtarë do të jenë kantautori i famshëm italian Alan Sorrenti dhe grupi i famshëm grek “Droulias Brothers”. Ky spektakël do të drejtohet nga Eni Çobani dhe Albert Dumani”, thotë Mara.
Një ditë më pas, në 3 dhjetor do të mbahet “Festivali i parë Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK)” në ambientet e Teatrit Kombëtar, një festival ky gjithëpërfshirës me target grupin e moshave 11-25 vjeç, për t’i dhënë mundësinë fëmijëve dhe të rinjve tipikë dhe atipikë, nga e gjithë Shqipëria.