Tetovë, 11 shtator – Kemi informata se në periudhën parazgjedhore ka tendenca të krijohen konflikte ndëretnike në tërë territorin, posaçërisht në pjesën perëndimore të shtetit, informoi sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sipas tij, kjo është posaçërisht në pjesën perëndimore, ku shumica janë shqiptarë me theks të posaçëm në Tetovë.
“Morëm informata nga të afërmit dhe miqtë tanë nga shtetet fqinje se ka përpjekje për të angazhuar disa njerëz ose grupe për të vënë zjarrin xhamisë në Kodrën e Diellit. Ky do të ishte indikator i mjaftueshëm se diçka nuk është në rregull në vend. Kjo është arsyeja pse ne po mbledhim të gjitha informacionet e tilla dhe në periudhën e ardhshme do ta ndajmë atë me vendet tona partnere, sepse si anëtare e NATO-s, çdo rrezik sigurie në Maqedoni është rrezik sigurie për shtet anëtar të NATO-s. Kjo është arsyeja pse të gjitha vendet që përfaqësohen në Maqedoni përmes ambasadave të tyre, janë të interesuara të na ndihmojnë dhe të mos lejojmë në këtë periudhë parazgjedhore disa faktorë politikë t’i përdorin këto elemente për përfitime politike”, tha Kasami.
Sipas tij, ekziston bashkëpunim me shërbimet e sigurisë për të parandaluar çdo incident.
“Ata po na thonë se duhet të jemi më të zgjuar, më të kujdesshëm, pasi ka përpjekje të tilla. Kjo është arsyeja pse gjatë kësaj periudhe ne bëjmë thirrje që të mos ketë grumbullime të mëdha njerëzish pa u informuar institucionet shtetërore, veçanërisht grupet e tifozëve. Udhëzime të tilla jepen në mënyrë që shërbimet e sigurisë të mos lejojnë grumbullimin e grupeve më të mëdha të të rinjve, pasi në këtë situatë mund të ketë rrezik që të na përsëriten situata të pakëndshme si në një të kaluar të afërt”, tha Kasami.
Këto informata Kasami i ndau pas ngjarjes së sotme, në të cilën Komuna e Tetovës promovoi strategjinë për zhvillimin e turizmit në katër vitet e ardhshme, me theks në zhvillimin e agroturizmit, përkatësisht turizmit rural në fshatrat e Kodrës së Diellit.