Buxheti prej 680 milionë denarë për shkencën s’mund të arrijnë 0.1 për qind të PBB sa i përket vitit 2025, ose vetëm rreth 0.17 për qind të buxhetit shtetëror të buxhetuar për vitin 2025, duke e renditur Maqedoninë si një nga vendet me financimin më të ulët, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon
Evis HALILI
Shkup, 4 gusht – Dyfishimi i buxhetit të këtij vitit për shkencë është risjellë sërish në vëmendje nga kryeministri Hristijan Mickovski. Rreth 680 milionë denarë të alokuara për kërkim dhe zhvillim për 2025, prapëseprapë e lënë Maqedoninë si një nga vendet me financimin më të ulët, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon. Pak ditë më parë Zyra evropiane e statistikave publikoi të dhëna sa i takon nivelit të shpenzimeve qeveritare për kërkim dhe zhvillim në Evropë, të cilat janë shumëfish më të larta sesa në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Mesatarja e Bashkimit Evropian për vitin 2024 ishte 0.71 për qind e PBB-së, me një vlerë totale prej afro 128 miliardë euro të alokuara nga buxhetet qeveritare për shkencë. Diferenca është e thellë dhe tregon diferenca serioze mes Maqedonisë dhe vendeve që investojnë në mënyrë të qëndrueshme në dijen, inovacionin dhe zhvillimin teknologjik.
“Vlerësoj se ndoshta edhe kjo nuk është e mjaftueshme, sigurisht, por është shumë më tepër se sa ka qenë më parë. Në periudhën që vjen do të fokusohemi edhe më shumë në financimin e shkencës. Qëllimi i Qeverisë në këtë mandat është që universitetet të jenë në një nivel më të lartë, të paktën në mesin e 1000 universiteteve të para në renditjen e ardhshme të listës së Shangait”, ka deklaruar djekryeministri.
Buxheti prej 680 milionë denarë për shkencën s’mund të arrijnë 0,1 për qind të PBB sa i përket vitit 2025, ose vetëm rreth 0,17 për qind të buxhetit shtetëror të buxhetuar për vitin 2025. Ndërsa në Maqedoni shpërndarja për person nuk është më shumë se 6 euro.
“Në vitin 2024, alokimet totale të buxhetit qeveritar për Kërkim dhe Zhvillim në të gjithë BE-në ishin rreth 127,916 milionë euro, ekuivalente me 0.71për qind të PBB-së. Kjo tregon një rritje prej 3.4për qind krahasuar me vitin 2023 (123,675 milionë euro) dhe një rritje prej 59.5për qind krahasuar me vitin 2014 (80,175 milionë euro). Në vitin 2024, alokimet e buxhetit qeveritar për Kërkim dhe Zhvillim në nivel BE-je ishin 284.7 euro për person, një rritje prej 57.0për qind krahasuar me vitin 2014 (181.3 euro për person)”, thuhet në publikimin e Eurostat.
Shpërndarjet më të larta midis vendeve të BE-së u regjistruan në Luksemburg (759.2 € për person), e ndjekur me një farë diference nga Danimarka (586.8 €) dhe Holanda (542.7 €). Nga ana tjetër, ndarjet më të ulëta të buxhetit për Kërkim dhe Zhvillim për person ishin në Rumani (19.1 € për person), Bullgari (38.3 €) dhe Hungari (58.7 €). Duhet theksuar gjithashtu se ndryshimet në GBARD për frymë mund të pasqyrojnë ndryshimet e popullsisë së vendeve”, vëren Eurostat. (koha.mk)