Kryetari i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti, gjatë një konference të këshilltarëve opozitarë të kryeqytetit, ka kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Alimehmeti deklaroi se këshilltarët e opozitës kërkojnë mocion me debat për shkarkimin e Veliajt, i cili është arrestuar me urdhër të SPAK pasi dyshohet për korrupsion dhe pastrim parash.
“Kërkojmë që Rama të zbatojë ligjin, të shkarkojë menjëherë Veliajn duke iu hapur rrugë procedurave ligjore dhe jo ta qajë atë natën e t’i marrë vendin ditën”, u shpreh Alimehmeti.
“Jemi sot në një situatë ku bashkia e Tiranës e ka kryebashkiakun në burgun e Durrësit prej datës 10 shkurt dhe Këshilli Bashkiak ka sot një mbledhje rutinë, jo me urgjencën e nevojitur të rastit, ku ne kemi bërë kërkesat tona të qarta për ndryshimet e rendit të ditës”, tha ai.
Sipas Alimehmetit, në këtë mbledhje do kërkohet shkarkimi nga detyra e Veliajt, pasi siç tha ai, është fakt që Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit vetëm për një pjesë të dëmeve që i ka shkaktuar qytetarëve të Tiranës.
“Është gjithashtu fakt se Rama pas lotëve të krokodilit uzurpoi bashkinë e Tiranës dhe ky është një veprim antikushtetues që kryeministri kryen me vendim të tij”, tha Alimehmeti.
“Kryeministri nuk ka asnjë tagër që të shkojë e të emërojë kryetarin në detyrë, funksion ky që i takon Këshillit Bashkiak dhe këtë uzurpim ai e bën sepse është i shqetësuar për veten dhe mandatin e tij si dhe për marrëdhënien që do ketë ai me drejtësinë”, u shpreh Alimehmeti.