Më 4 shkurt, në eventin e parë të aktivitetit serial “Ndarja e tregut gjigant, eksportet në Kinë” që u hap në Pekin, u paraqitën marka të larmishme ndërkombëtare për produktet ushqimore, kozmetike dhe sendet cilësore të mirëpritura në vende të ndryshme. Lidhur me këtë, Tao Lin, zv/presidente globale e Teslës, e cila mori pjesë në event, tha se aktiviteti jo vetëm dërgon një sinjal të qartë të përpjekjeve proaktive të Kinës për të zgjeruar hapjen në nivel të lartë, por edhe “sjell mundësi strategjike të mëdha për kompanitë shumëkombëshe si Tesla”.
Kina i ka kushtuar gjithmonë rëndësi të madhe zgjerimit të importeve. Për 17 vite radhazi është tregu i dytë më i madh i importeve në botë. Tetë vjet më parë, Kina krijoi ekspozitën e vetme në nivel kombëtar në botë me temën e importit – Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE), e cila deri më sot ka realizuar mbi 580 miliardë dollarë kontrata.
Shumë pjesëmarrës në eventin e së mërkurës menduan se në vitin e parë të Planit të 15-të Pesëvjeçar, lançimi i aktivitetit serial ” Ndarja e tregut gjigant, eksportet në Kinë” është një veprim pragmatik i Kinës për të hapur në mënyrë proaktive tregun e saj ndaj botës dhe për të promovuar zhvillimin e balancuar të importit dhe eksportit, i cili, së bashku me CIIE-në, do të ndërtojë më shumë kanale për mallrat globale që të hyjnë në tregun kinez. Vlen të përmendet se gjatë vizitës së fundit të kryeministrit britanik Keir Starmer në Kinë, Mbretëria e Bashkuar u bë vendi i parë që nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Kinën për pjesëmarrjen në këtë aktivitet.

Vitet e fundit, Kina ka hapur vazhdimisht tregun e saj ndaj botës. Aktualisht, niveli i saj i përgjithshëm i tarifave doganore ka rënë në 7.3%, që është një ndër nivelet më të ulta në botë. Ministria e Tregtisë e Kinës njoftoi se do të mbajë mbi 100 evente të tilla në vitin 2026, për të mbështetur më shumë mallra dhe shërbime me cilësi të lartë të futen në tregun e brendshëm, duke u ofruar konsumatorëve kinezë një gamë më të gjerë dhe më të larmishme opsionesh blerjeje, për të plotësuar më mirë nevojat e tyre për përmirësimin e jetesës.
Në vitin 2025, PBB e Kinës i kaloi 140 trilion juanët për herë të parë, me shitjet totale me pakicë të mallrave të konsumit që tejkaluan 50 trilion juanë, ku importet totale të mallrave të Kinës arritën në 18.48 trilion juanë, duke e bërë atë një destinacion të madh eksporti për gati 80 vende. Këto shifra demonstrojnë plotësisht kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e madhe të tregut kinez. Fabrizio Costa, sekretari i përgjithshëm i Dhomës Italiane të Tregtisë në Kinë, i tha Grupit Mediatik të Kinës se përpjekjet e fuqishme të Kinës për të rritur konsumin gjatë pesë viteve të ardhshme, janë një lajm shumë i mirë për ta. “Grupi i madh i konsumatorëve kinezë dhe kërkesa e tyre për cilësi, na ofrojnë më shumë mundësi”, shtoi ai.
Në këtë aktivitet, disa kompani ndërkombëtare demonstruan teknologjinë e tyre inovative. Shumë kompani menduan se, teksa Kina po përshpejton zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore, ajo po ndan jo vetëm një treg konsumi, por edhe një “terren testimi” dhe “fushë aplikimi” për inovacionin. Lidhur me këtë, Oliver Oehms, kryepërfaqësuesi i Dhomës Gjermane të Tregtisë në Kinë, tha se bashkëpunimi kino-gjerman në fushën e biznesit, aktualisht po shkon drejt ngritjes së vlerës së shtuar dhe cilësisë më të lartë. “Për kompanitë gjermane, Kina është një bazë kyçe prodhimi dhe investimi, si edhe një treg i rëndësishëm për produkte me teknologji të lartë dhe cilësi të lartë.”
