Kingji në Kosovë, diskutohet thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve

nga D. V.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji.

Sipas njoftimit, gjenerallejtënant Jashari e falënderoi gjenerallejtënant Kingjin për lidershipin e tij në drejtimin e FARSH-it, si dhe për mbështetjen dhe përkrahjen vëllazërore ndaj FSK-së. Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe roli i FSK-së në garantimin e sigurisë së Kosovës, si një kontribuese e rëndësishme në ruajtjen e stabilitetit rajonal.

“Gjatë takimit, të dy gjeneralët vlerësuan lart progresin e FSK-së në fushën e zhvillimit dhe modernizimit, si dhe performancën e trupave në ndërveprueshmëri gjatë aktiviteteve shumëkombëshe. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e mbështetjes së FARSH-it për zhvillimin e mëtejmë të FSK-së, veçanërisht në fushat e arsimimit, stërvitjes dhe shkëmbimit të përvojave, duke avancuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh”, thuhet në njoftim.

Nga ana e tij, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji, në një reagim për mediet theksoi se në takim u diskutua mbi zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë, si dhe progresi i bashkëpunimit dypalësh ushtarak.

“Në këtë kuadër, shpreha vlerësimin tim për gjenerallejtënant Jasharin për lidershipin dhe gatishmërinë e treguar në rritjen e bashkëpunimit dhe aktiviteteve të përbashkëta ushtarake. Riafirmova mbështetjen dhe përkushtimin e palëkundur të Forcave të Armatosura për forcimin e kapaciteteve operacionale, për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive tona të përbashkëta në rajon”, përfundon reagimi i Kingjit.

Në përmbyllje të takimit, gjeneralët ritheksuan se thellimi i bashkëpunimit ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet një prioritet strategjik kombëtar, ndërsa forcimi i kapaciteteve mbrojtëse u vlerësua si thelbësor për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More