Shkup, 23 dhjetor – “Fondi i Sigurimit Shëndetësor (FShS) në thelb ka edhe funksion kontrolli financiar dhe ndjek aspektet mjekësore”, theksoi drejtori Klekovski në emisionin “Direktno”. Ai shpjegoi se FShS kryen kontrolle të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
Kontrollet e jashtëzakonshme bëhen pas parashtresave, qoftë nga pacientë të pakënaqur apo përmes shkresave dhe ankesave, dhe për to njoftohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Enti Shtetëror i Revizionit. Në thelb ekzistojnë disa segmente problemesh, por dy janë kryesore: pagat dhe prokurimet publike. Sa i përket pagave, konstatohet mosrespektim i marrëveshjeve kolektive – u paguhen njëkohësisht shtesa për ndërrime dhe për kujdestari, këto pagesa nuk përputhen mes vete, nuk mbahen evidenca për orët jashtë orarit etj. Në pjesën e prokurimeve, shpesh bëhen blerje pa mjete të siguruara përkatëse, krijohen borxhe dhe ato shndërrohen në problem për Fondin, theksoi Klekovski.
Sipas drejtorit të FShS-së, në aspektin financiar ka pasur edhe ankesa për pagesa të dyfishta – si nga i siguruari ashtu edhe nga FShS.
Fondi kryen kontrolle ekskluzivisht në institucionet shëndetësore me të cilat ka lidhur kontrata. Në Ndihmën e Shpejtë Mjekësore kemi gjetur se kishin çmimore sipas të cilave u faturonin shërbime qytetarëve sipas vlerësimit të tyre, e jo me miratim të Fondit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, shpjegoi Klekovski.
Ai sqaroi se aty ku problemet vërehen për herë të parë jepen vërejtje; për Ndihmën e Shpejtë Mjekësore është caktuar një afat prej dy muajsh për t’i eliminuar mangësitë. Aty ku janë paguar padrejtësisht shtesa, është kërkuar kthimi i mjeteve.
Por, nëse shihet se kjo sjellje vazhdon në mënyrë të vazhdueshme, atëherë, në thelb, paraqiten kallëzime jashtë institucioneve të përmendura, përkatësisht dorëzohen kallëzime në MPB dhe në Policinë Financiare. Kemi tashmë kallëzime të dorëzuara dhe po punohet edhe në të reja, sepse qëllimi ynë nuk është vetëm të tregohet se kemi dorëzuar kallëzime për të mëparshmit, por se duhet përgjithësisht të ndryshojmë sjelljen; ka kallëzime për të cilat po punohet edhe aktualisht, tha Klekovski.
Ai i renditi rastet për të cilat janë paraqitur kallëzime penale dhe janë nisur procedura, duke filluar nga rasti “Onkologjia”, më pas komisioni për dhënien e pensioneve të invaliditetit, rasti i spitalit të Prilepit ku arkëtari, në vend që t’i depozitonte paratë, i kishte futur në xhep, si dhe rastet me oftalmologët në Veles, Manastir dhe drejtorin e Geriatrisë në Shkup.