Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se qendra shëndetësore verore në Tale të Lezhës është e hapur nga 1 qershori deri në 30 shtator, për të ofruar ndihmë për çdo nevojë apo urgjencë shëndetësore, si edhe për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e pushuesve gjatë sezonit veror.
Ministrja Koçiu pohoi se doktoreshë Regisa dhe infermiere Nertila ofrojnë çdo ditë shërbim në këtë qendër shëndetësore verore, duke u kujdesur për pushuesit vendas dhe të huaj që zgjedhin këtë plazh për të kaluar pushimet e tyre.
Mjekja e Përgjithshme, Regisa Ndoci shprehet se pas aplikimit te Operatori Qendror Shtetëror për të ofruar shërbim si mjeke e përgjithshme, ajo u punësua pranë qendrës shëndetësore verore Tale.
“Ne ofrojmë shërbime të ndryshme si mjekim plagësh, saturim, shërbime emergjente, reaksione, alergji të ndryshme. Qendra është e pajisur me të gjitha medikamentet dhe aparaturat e nevojshme mjekësore dhe është në shërbimin e duhur për emergjencat verore”, tha ajo.
Ndërsa, infermierja Nertila Gjinaj thotë se qendra është 24 orë hapur në shtatë ditë të javës dhe i vjen në ndihmë pushuesve dhe gjithë banorëve të zonës.
Përveç qendrave shëndetësore, Urgjenca Kombëtare do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 vendqëndrime fikse me autoambulanca në zonat më të frekuentuara turistike. Gjithashtu do të përdoren edhe motoambulancat, të cilat ndihmojnë në përshpejtimin e ndërhyrjeve mjekësore duke shmangur trafikun e rënduar të sezonit.
Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025 për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.