Komuna e Prishtinës dënon ashpër veprimin e Sveçlës: Goditje brutale ndaj vlerave institucionale

nga D V

Sjellja e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ku ai u pa duke demoluar pajisjet në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka shkaktuar reagime të ashpra.

Në reagimin e tij publik, Sveçla e arsyetoi veprimin duke deklaruar se kishte për qëllim pamundësimin e një seance “klandestine” që, sipas tij, do të dëmtonte qytetin dhe interesat e tij.

Ndaj këtij veprimi të Sveçlës ka reaguar Komuna e Prishtinës. Në një deklaratë zyrtare, ky veprim u cilësua si një “goditje brutale ndaj vlerave institucionale dhe një fyerje ndaj qytetarëve”.

“Dënojmë ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë,” thuhet në reagimin zyrtar.

Komuna tutje thekson se ky nuk është incidenti i parë ku asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë akuzuar për bllokim të proceseve vendimmarrëse në Kuvendin Komunal.

“Prej muajsh, asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, përfshirë miratimin e buxhetit, duke krijuar ngërç institucional dhe duke penguar ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët,” theksohet në deklaratë.

Tutje në reagimin e Komunës së Prishtinës thuhet  se Vetëvendosje sot e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizimi i qytetarëve.

“Kjo sjellje është një akt i turpshëm që meriton dënimin e çdo qytetari dhe të çdo institucioni demokratik. Kërkojmë nga organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast me seriozitet maksimal, si për pengesën që iu bë përfaqësuesve në ushtrimin e detyrave të tyre kushtetuese, ashtu edhe për dëmtimin e pronës publike. Institucionet nuk janë fushëbeteja të interesave të ngushta politike, por baza mbi të cilën qëndron mirëqenia e qytetarëve”, thuhet në reagim.

Komuna shton se veprime të tilla nuk janë vetëm të papranueshme, por edhe të rrezikshme për stabilitetin tonë si shoqëri demokratike.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More