Krenare Latifi Kçiku zgjidhet kryesuese e Kuvendit të Gjilanit, Hyseni thërret seancë të jashtëzakonshme për buxhetin 2026

nga D. V.

Pas zgjedhjes së Krenare Latifi Kçikut si kryesuese e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, kryetari i komunës, Alban Hyseni, njoftoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të premten për miratimin e buxhetit të vitit 2026.

“Krenare Latifi Kçiku është zgjedhur kryesuese e Kuvendit dhe ne sapo kemi nënshkruar ftesën për seancën e jashtëzakonshme, ku do të votohet buxheti i vitit 2026”, tha Hyseni pas votimit.

Kryetari theksoi se propozimi i buxhetit është i njëjti si ai i dorëzuar fundvitin e kaluar, i cili atëherë nuk kishte kaluar në Kuvend. Ai shtoi se, megjithëse numrat e votave janë të mjaftueshëm për miratimin e tij, ekzekutivi është i gatshëm për dialog me subjektet opozitare.

“Ne shprehim gatishmëri të bashkëpunimit me subjektet opozitare dhe i ftojmë që të votojnë buxhetin e komunës,” tha Hyseni, duke theksuar se çdo propozim i rëndësishëm për buxhetin mund të paraqitet deri të premten.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e miratimit të buxhetit: “Çështja e buxhetit është shumë e rëndësishme, ku vitin e kaluar komuna ka vuajtur shumë. Jemi të interesuar që sivjet buxheti të mos mbetet problem, por të bashkojë të gjitha subjektet politike dhe të marrë aprovimin ditën e premte”.

Kjo seancë e jashtëzakonshme do të jetë test për bashkëpunimin mes pushtetit dhe opozitës, teksa kryesuesja e Kuvendit, Kçiku, do të luajë një rol kyç në drejtimin e diskutimeve dhe procedurave për miratimin e buxhetit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More