Kryeministri finlandez do të vizitojë Kinën 

nga D. V.

Me ftesë të kryeministrit kinez Li Qiang, homologu i tij finlandez Petteri Orpo do të bëjë një vizitë zyrtare në Kinë nga 25 deri më 28 janar, bëri të ditur të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Guo Jiakun.

Gjatë vizitës, presidenti kinez Xi Jinping do të takohet me kryeministrin Orpo, e po ashtu edhe kryeministri Li Qiang dhe kryetari i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore Zhao Leji do të zhvillojnë bisedime dhe do të takohen me të, për të kryer shkëmbime të thella mendimesh mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet me interes të përbashkët, tha Guo.

Duke vënë në dukje që Finlanda ishte ndër vendet e para perëndimore që e njohu dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës, ai shtoi se, nën udhëheqjen strategjike të dy krerëve të shteteve në vitet e fundit, partneriteti i ri bashkëpunues i orientuar nga e ardhmja midis dy vendeve është thelluar dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka përparuar.

Sipas zëdhënësit, pala kineze i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Finlandën dhe është e gatshme të punojë me palën finlandeze për të mbajtur shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë, për të konsoliduar besimin e ndërsjellë politik, për të forcuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar, për të nxitur shkëmbimet kulturore e njerëzore, për të shtuar njohjen e ndërsjellë dhe bashkëpunimin në çështjet shumëpalëshe, si edhe për t’i ngritur bashkërisht marrëdhëniet dypalëshe në një nivel të ri.

Po të enjten, edhe Ministria e Tregtisë e Kinës u shpreh se pret një hov të ri në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh gjatë vizitës së kryeministrit finlandez Petteri Orpo në Kinë.

Një zyrtar i kësaj ministrie u shpreh në përgjigje të një pyetjeje të medias se Finlanda është një partnere e rëndësishme ekonomike e tregtare për Kinën në Evropë dhe është vendi i parë evropian që ka nënshkruar një marrëveshje tregtare ndërqeveritare me Kinën.

Nën udhëheqjen strategjike të udhëheqësve të të dy vendeve, bashkëpunimi dypalësh është zgjeruar vazhdimisht. Të dhënat tregojnë që në vitin 2025 tregtia ndërmjet dy vendeve arriti mbi 8 miliardë dollarë, ndërsa vlera e investimeve të ndërsjella i kaloi 23 miliardë dollarët.

Orpo do të shoqërohet nga drejtues të më shumë se 20 kompanive finlandeze, nga sektorë të tillë si makineritë, pylltaria, inovacion, energjia e pastër dhe ushqimi, gjë që pasqyron gatishmërinë e madhe të Finlandës për të thelluar lidhjet ekonomike me Kinën, vuri në dukje zyrtari.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More