Kryeparlamentari turk Kurtulmuş: Interesa të përbashkëta me Shqipërinë, me rëndësi stabiliteti në Ballkan

nga D. V.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Turqi.

Spiropali u prit në një takim nga kryetari i Parlamentit të Turqisë, Numan Kurtulmuş.

Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, pas takimit Kurtulmuş u shpreh se, takimi ishte mjaft i frytshëm teksa janë ngritur grupet e miqësisë në të dy parlamentet përkatëse.

“Kontaktet bilaterale vazhdojnë dhe ramë dakord për t’i vazhduar këto kontaktet edhe nëpërmjet komisioneve të specializuara”, u shpreh ai.

Po ashtu, theksoi ai, “në Shqipëri ne vazhdojmë bashkëpunimin tonë në platformat e përbashkëta. Jemi dy vende mike, jemi dy vende aleate që ndajmë mendimet e përbashkëta në struktura të tilla rajonale midis vendeve të Ballkanit”.

Ai theksoi se, marrëdhëniet dypalëshe do të zhvillohen akoma edhe më shumë në të ardhmen.

“Patëm mundësi që të rikonfirmojmë edhe një herë këto qasje të përbashkëta. Ne jemi për paqen dhe stabilitetin në Ballkan sidomos në kohët e sotme kur bota po kalon një turbulencë të madhe. Pothuajse në çdo rajon kemi tensione dhe konflikte të armatosura. Është shumë e rëndësishme. I kushtojmë shumë rëndësi paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Divergjencat që ekzistojnë duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut. Këtu kemi qasje të përbashkët si Shqipëria dhe Turqia”, tha Kurtulmuş.

Kryeparlamentari turk u shpreh se, “Turqia dhe Shqipëria janë dy vende dhe dy popuj që kanë marrëdhënie të lashta, të vjetra që prej 6 shekujsh kanë bashkëjetuar. Jemi dy popuj që kemi histori të përbashkët, të kaluar të përbashkët”.

Ai theksoi se edhe interesat janë të përbashkëta dhe duhet të çohen përpara marrëdhëniet.

Kurtulmuş përmendi fushat si trashëgimia kulturore apo tregtia, për të rritur shkëmbimet tregtare.

“800 kompani turke operojnë në Shqipëri dhe këto në aspektin e forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve janë të rëndësishme”, tha ai.

Po ashtu, shtoi Kurtulmuş, “me Shqipërinë, në shumë platforma ndërkombëtare, kryesisht në NATO, kemi çështje ku mbështesim njëri-tjetrin.”

“Po hyjmë në një proces që duhet të kemi shumë kujdes. Bota po riformësohet edhe në aspektin politik, edhe ekonomik. Jemi në pikënisjen e kësaj. Sistemi i vjetër po shkatërrohet. Do kemi krijimin e një ekuacioni global ku kemi një botë shumë polare, shumë qendrore dhe padyshim dhe Ballkani do të bëhet një rajon akoma dhe më i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin e avantazheve që i sjell pozicioni gjeografik, por edhe multikulturalizmi që bart në vetëve dhe do të zërë një vend më të rëndësishëm, një vend më me ndikim në arkitekturën botërore globale”, tha ai.

“Do të ndihmojmë në arritjen e kësaj situate, do të intensifikojmë bashkëpunimet, për ta shndërruar Ballkanin në një rajon që ofron paqe dhe stabilitet”, tha Kurtulmuş.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More